Si shpëtova nga Zeqë milici ditën e Panaxhyrit

Hasan Bunjaku

(Dromca autobiografike)

Pas nja dy-tri vitesh, kah gjysma e viteve të 60-ta, Hajdari i Balec Mahallës, që i ndihmonte babait tij si teneçexhi, që punonte në qytet, se nga e kishte bërë njëfarë biçiklete të havarisur goxha, pa pedale, me veç me ato “kunjat” e të tjera, por që bënte akoma, dhe të cilën, me “qera” (rentë) me orë, na e jepte në shërbim.

Dhe, saherë “vija” tek parat, drejt e te Hajdari e biçikletën për të bërë disa xhiro nëpër qytet, paçka se akoma mirë edhe nuk dija ta ngasja.

Gjilani, gjatë verës i kishte dy panaxhyre (panaire), si i vetmi qytet në Kosovë, ku tuboheshin njerëz që shisnin edhe deri nga Kroacia e blerës dhe sehirxhinjë, badihavxhijë nga e tërë Anamorava.

Se nga i “bëra” do para, e drejt e te Hajdari, pikërisht në një kësi dite, për ta marrë biçikletën me qira për nja dy orë. “More, merre o kojshi, po nuk e di se kah do i grahish se nga njerëzit nuk ke kund vend të lirë!” (sepse i tërë qyteti mbushej vërtetë me njerëz). “Hajt, se do ta gjej ndonjë hapësirë diku se qyteti i madh, o Hajdar…”! – po i them, dhe e mora biçikletën, dhe vërtetë në vend se të kërkoja diku ndonë hapësirë pa njerëz, ashtu siç isha me dofarë “jadranka”, si lloj sandalesh të gomës që vetëm gishin e madh e shtije aty dhe ato “flenin” për këmbe, dhe aty para Teatrit, mespërmes rrugës përplot njerëz, po e ngas biçikletën, ndonëse nga vapa e madhe ato “jadrankat”, shpesh djersiteshin e dilnin nga këmba.

Dhe ndodhi që pikërisht deri afër qendrës së qytetit, të më rëshqet këmba nga ai “kunji” dhe të më humb drejtimi dhe ik nga e djathta, ik nga e majta, dhe e godas një fshatare serbe, që me një krojshe po mbante ca vezë e s’di çfarë tjetër, e t’iu derdhën e një zoje serbe qytetare, ta godas shqitas këmbës dhe t’ia grisi çorapën e “najlonit”, dhe për të zezën time, se nga “mbiu” njëfarë Zeqa Trafikuesi, një njeri aq i ashpër qe i sakatonte me dënime vozitësit e rrallë, madje po t’ia bënin fjalën dy, edhe do i godiste… “Hë, tashti m’u “kajt” nona”…!” mendova me vete, në ndërkohë që ajo fshatarakja nisi të ulërinte e të prekte diçka edhe nga pushteti, ndërsa ajo zonja e qytetit, po i thotë Zeqës; “Lere se axhami qenka akoma dhe aasgjë nuk ka bërë me qëllim!”.

Unë po qëndroja e pikë gjaku nuk më kishte mbetë në fytyrë. Ndersa, në ndërkohë, atij Zeqës i kihte “shkua në nerva”, ajo katundarja, dhe duke i miratue fjalët e kësaj zonjës, e bëri atë që më së paku e prisja: “Hup, bre thi, po ku dilet në panaxhyr me vilispic…! Hajt, baj bythën!”… Ohua, baj se baj, e këtë mezi po e prisja dhe drejt e ia dërgova para vaktit Hajdarit biçikletën, e vet ik e te shtëpia!

Diku kah vitet 1967, Ndërmarrja “Binaçka Morava” e pat bërë një digë në rrjedhën e përroit mbi Livoq të Epërm, as për nevoja të ujit të pijëshëm, as të atyre të ujitjeve të të mbjellave poshtë rjedhës së tij, por thjesht për nevoja të Hidrocentralit gjigant në Danub, pikërisht në Gjerdap, bashkarisht me komshiun e bregut tjetër të këtij lumi të madh europian, Rumaninë, e që te ndalë inertet e trasha e të rënda, drunjë e gurë, që, përmes Moravës, mos të depërtojnë deri në atë Hidrosistem.

Fillimisht, u krijua një liqe artificial, jo edhe aq i vogël, e me ujë fare-fare të pastër, ku bënin plazhin banorët e Gjilanit dhe të fshatrave përreth.

Ne që tashmë më 1968, kishim nisë punën dhe ishim me pagat tona: Unë, Isa Demiri e Dalush Kadriu, meqë, biçikletat atëbotë kushtonin aq shtrenjte e që nuk na e përthekonte as “rroga”, me kredi, tek “baballaku” im i ardhshëm, Aziz Kosovica, me kredi nga dyqani i tij, i blemë secili nga një sosh, të teknologjisë së fundme, me frena në “timon”, për rrotën e prapme, sikur edhe për atë të parën, dhe meqë bënte vapë e madhe e nga qyteti deri tek ajo pendë, ishin nja thuaja më shumë se 4-5 km. Ne verës përditë po udhëtonim me ato biçikleta “fringo”.

Një ditë, u lamë çka u lamë e u freskuam, dhe meqë në qytet, në një orë të caktuar ishte një koncert, apo event tjetër, që tashti nuk po më kujtohet, andaj e kishim bërë plan që nga liqeni do ktheheshim pak më heret e do të shkonim në të. Mirëpo, meqë ishim habitur duke luajtur e “garuar” në ujë, kur dolëm nga ujët e pamë se ishim goxha vonë, andaj ashtu të lagtë siç ishim, ato pak rroba që i kishim, i vumë në “gepek”, dhe u nisëm goxha me hëz.

Kur dolëm te Kodra e Pasjakut, që atëherë ishte goxha më e lartë, po iu them: “Hajde bëjmë gara, cili po mbërrin i pari deri tek ajo tabela me mbishkrimin “Gjilani”…!” Meqë u pajtuan edhe Isa e Dalushi, unë t’i jepi turr biçikletës me tërë forcën asaj tatpjetëze rrugës se paasfaltuar (por e shtruar vetëm me do zhavor gurësh goxha të trashë).

Pas një kohe, nuk dëgjoj se po më “përcjell” kush, dhe thash ta frenoj e të shoh ç’u bë me ata të dytë dhe, në vend se ta frenoj rrotë-gomën e mbrapme, gabimisht, e kam frenuar atë të parën… Dhe, mund ta merrni me mend, në gjithë atë shpejtësi, ta frenosh rrotën e parë se çfarë ndodh: ajo u kthye ca anash, vajti pak zhag, e unë t’i hoça duart fare nga “brinat” e timonit, e ashtu siç isha vetëm në brekë (mbathje), me shkon trupi sa gjerë e gjatë zhagas nëpër atë “shoder” guriçkash, e të më vlon gjaku gjithandej trupit që nga hund-mjekrra, gjoksi, barku, dhe këmbët nën mbathe e deri tek gishtërinjtë e tyre…

Ndjeja dhimje të hatashme sepse më ishte zhvoshur lëkura thuaja 80 % e pjesës së përparme të trupit. Erdhën shpejt Isa dhe Dalushi, por as ata nuk dinin se ç’të bënin. Asnjë frymë njeriu në rrugë, pos njerëzve që po “mbushnin misrin” në ara…

Bënë ç’bënë, disi m’i veshën ato pantollon të holla dhe një këmishë që i kisha në “gepek”, dhe disi, arrijta në shtëpi, dhe që të mos më bënte tashti babai “insintak” (të ma bënte “gjyqin”), hyra në dhomën time, që e kishte hyrjen nga jashtë që nga oborrri e brenda.

Më hetoi kunata që erdha (kaq shumë më donte e respektonte), dhe hyri në dhomë, dhe kur më pa në atë situatë, t’ia krisi një ulërime të madhe. Babai plak që ishte në dhomën tjetër, briti njëherë: “Çka u ba, bre…!!!”, dhe shyqyr as kishte luajtur nga vendi. Kur atë që ia kisha spjeguar kunatës se çfarë më ka ndodhi, ka dalë andej, i kishte treguar babait që isha sakatua fare.

Eh, si kanë qenë burrat e vaktit, o Zot! Që andej, po e dëgjoj që po bërtet me tërë zërin: “Më mirë të ma kishin pru xhenaze atë “teveçel” se kështu!!! Po njëqind herë i kam thënë që vilispici (siç qihej atëbotë biçikleta), është “halet” i shejtanit (tybeistikfar), se ku munet me shkue kerri veç me dy rrota??:? Ato e drejton e i grah veç “qoftlargu”. Masanej, cullak veç në ato “done” të shkurta, mjedis arave ku janë tue punue ere gratë, qysh nuk pat një kashore “ujë në sy” (marre)? E mcus kishe i thot vetit…!” – nuk prante së hakërryeri që nga dhoma e vetë ulur këmbëkryq e me tespihe në dorë.