Si të mbroheni nga infarkti, mjekja tregon cilat janë shenjat e para
Për të parandaluar infarktin apo për t’u mbrojtur nga pasojat që ai mund të sjellë, me rëndësi është të mos neglizhohen shenjat e para.
Një dhimbje e fortë në kraharor, bllokimi i frymëmarrjes, mpirja e krahut, të përzierat dhe djersitja mund të jenë tregues të një infarkti, ndaj duhet që i sëmuri të dërgohet menjëherë në spital.
Sipas mjekes kardiologe, Daniela Teferici, 6 orët e para janë elementare për të shpëtuar muskulin e zemrës nga një dëmtim i pakthyeshëm që mund të vërë në rrezik jetën.
Përmes një interviste dhënë për gazetën, doktoresha flet për shenjat që manifeston infarkti në kategori të caktuara, siç janë të moshuarit dhe diabetikët, faktorët e riskut, masat që duhen ndërmarrë, komplikimet dhe metodat e trajtimit.
Infarkti përkthehet ndryshe si bllokim i enëve të gjakut. Pra, është bllokimi i arterieve koronare, të cilat ushqejnë zemrën.
Infarkt ndodh atëherë kur kemi bllokim total të enës, thënë ndryshe ajo zonë e miokardit apo muskulit të zemrës nuk furnizohet më me gjak.
Infarkti është një patologji që i ka të shprehura shumë simptomat. Ankesa kryesore është dhimbja e gjoksit, e cila është një dhimbje shumë e fortë, që kërkon me patjetër trajtim spitalor.
Kurrsesi infarkti nuk mund të trajtohet në shtëpi, pasi dhimbja që manifeston zgjat mbi 20 minuta, nuk qetësohet me tableta, por kërkon mjekim spitalor.
Një shenjë tjetër mund të jetë frymëmarrja e theksuar, ajo që ne e quajmë edemë pulmonare akute. Marrja e frymës është kaq e theksuar, sa pacienti mbytet. Në të tilla raste rekomandohet dërgimi i pacientit në qendrën më të afërt spitalore.
Po ashtu mund të shfaqë djersitje, të përziera dhe të vjella, të cilat shpeshherë konfundohen me një helmim apo sëmundje të stomakut.
Në një përqindje më të vogël rastesh, manifestimi i infarktit të miokardit ka shenja më të zbehta. Zakonisht kjo ndodh te pacientët e moshës së tretë dhe te pacientët diabetikë.
Risku më i madh është në orët e para të infarktit, sepse në orët e para ndodhin shumë komplikacione, sikundër mund të ndodhë edhe një aritmi vdekjeprurëse.
Në rastet kur kalojnë disa ditë, risku për një vdekje të papritur fillon të ulet.
Sigurisht që në momentin kur ndodh infarkti janë të riskuar, por diçka që suportohet dhe që mund të tejkalohet në kushte shtëpie është diçka më e lehtë për t’u përballuar.
Kur është një infarkt masiv i madh ose bën vdekje të menjëhershme, ose bën edemën pulmonare akute që imponon dërgimin me urgjencë të të sëmurit në spital.
Personat diabetikë janë dyfish më të rriskuar për të bërë infarkt miokardi në raport me të tjerët.
Në përqindjen më të madhe, infarkti ka shenja paralajmëruese. Është ajo që ne e quajmë angina pectoris e qëndrueshme, pra dhimbja e gjoksit kur personi bën një sforcim, ngjit shkallët apo kur bën punët e përditshme.
Përkundrejt saj është angina pectoris e paqëndrueshme që është parainfarkti. Në këto raste pacienti ka dhimbje edhe në qetësi, dhimbje e cila zgjat disa minuta.
Infarkti gjithnjë ka shenja pararendëse, ka dhimbjen e gjoksit, vështirësinë në frymëmarrje përpara se të ndodhë ajo që unë do ta quaja stuhia.
Një person, nëse është i kujdesshëm, e kupton që ka disa muaj që ka ndryshuar diçka tek ai. Ndërsa më përpara ka qenë i palimituar në aktivitetin e tij të përditshëm, tani ka një ndryshim.
Marrja e frymës, dhimbja e gjoksit e pengon. Këto janë shenja tipike, të cilat nuk duhet të neglizhohen.
Menjëherë duhet të drejtoheni te mjeku kardiolog, i cili nisur nga ankesat, bën vlerësimin nëse janë dhimbje tipike për sëmundjen e arterieve koronare apo jo.
Ka persona që frikësohen nga mpirja e krahut, me mendimin se rrezikojnë infarktin. Por diagnozën mund ta përcaktojë vetëm mjeku.
Ka shumë faktorë të tjerë që ne na bëjnë të mendojmë për sëmundjen e arterieve koronare, të tilla si duhanpirja, diabeti, yndyrat e larta, mungesa e aktivitetit fizik etj.
Mundësia e infarktit lidhet gjithnjë me faktorët e riskut që ke. Trashëgimia është një ndër faktorët. Po ashtu diabeti, hipertensioni, rritja e yndyrave, konsumimi i duhanit dhe jeta sedentare.
Nuk mund të ndodhë infarkti te një që nuk i ka këta faktorë rreziku. Pra, probabiliteti është shumë i ulët. Shkalla e riskut varet nga faktorët që përmenda.
Ne folëm për rëndësinë e mosneglizhimit të shenjave të hershme, por në momentin që ndodh infarkti, sa kohë kemi në dispozicion?
Në rast se fillojnë shenjat e infarktit, e vetmja gjë që duhet bërë është të transportohesh në spital, pasi është një urgjencë madhore mjekësore.
Në spital fillohet trajtimi medikamentoz dhe njëkohësisht kryen koronarografinë, ku shikohet se ku është vendi, ena që është bllokuar dhe bëhet stentimi apo zgjerimi i enës.
Është shumë e rëndësishme që pacientët të paraqiten shpejt në spital, pasi sa më shpejt të paraqitesh në spital, mundësisht brenda 6 orëve të para nga fillimi i dhimbjes, aq më të pakta janë pasojat e infarktit të miokardit. Nëse kalon një apo dy ditë, përfitimi që mund të kesh është shumë më i vogël.
Çfarë këshillash duhet të kenë parasysh ata që kanë kaluar një herë infarkt?
E para, është mjekimi i të gjithë faktorëve të rrezikut që ka pacienti. Nuk mund të vazhdojë të pi duhan një pacient që ka kaluar infarkt.
Diabetikët duhet të trajtojnë shumë mirë diabetin. Duhet praktikuar ecja dhe duhet mjekuar hipertensioni gjithashtu.
Pra, do të jetë shumë strikt në menaxhimin e faktorëve të rrezikut, sepse sëmundja e arterieve koronare mund të përsëritet.
Në rast se kalon një infarkt, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të bllokohet një nga enët e tjera. Nëse faktorët e rrezikut nuk modifikohen, mund të ndodhë bllokimi i së njëjtës enë apo i enëve të tjera. Pra, mund të bësh një infarkt të dytë, që mund të jetë edhe fatal, sepse një pjesë e muskulit të zemrës ka dalë jashtë funksionit nga infarkti i parë. Atëherë po të ndodhë një infarkt i dytë, shanset për të ndërruar jetë janë shumë të mëdha. Pacienti duhet që të ndryshojë në mënyrë rrënjësore stilin e jetesës për të parandaluar përsëritjen e kësaj sëmundjeje.

