Si u tradhtua Luljeta Aliu nga Vetëvendosje?

Luljeta Aliu ka marrë vetë 12 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht thirrjes së saj për ta votuar për anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media.

“Sot po kërkoj votën e deputetëve”, shkroi ajo, sot në mëngjes, transmeton Gazeta Insajderi.

Pavarësisht kësaj, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që janë shumicë në Kuvend, e kanë votuar për anëtar të bordit të Komisionit të Pavaruar për Media, Besnik Berishën, një mbështetës tjetër i Albin Kurtit.

Berisha në postimet e tij publike në Facebook, e ka mbështetur hapur Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, deputetët e së cilës e kanë shumicën në parlament.

“Egërsia me të cilën sulmohet kryetari i VV-së nga disa ‘analistë’ buron nga frika se do e humbin grazhdin shtetëror”, shkruante Berisha në një postim të tij, të datës 25 janar, 2021, ku e citonte Kim Mehmetin, transmeton Gazeta Insajderi.

Një shkrim tjetër të gjatë, të publikuar më 9 shkurt 2021, pak ditë para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ai bënte thirrje indirekt që të votohej partia e Albin Kurtit.

“Le të shpëtojmë veten dhe ata më 14 shkurt nga kjo e keqe të cilën kurrsesi s’po mund ta shohim nga brenda. Ndryshimi do të ua largojë sado pak edhe atyre këtë virus shtet-shkatërrues”, shkruante Berisha, transmeton Gazeta Insajderi.

Berisha në disa postime të tij, e ka linçuar publikisht edhe Valon Sylën, drejtuesin e Gazetës Metro, i cili herë pas herë debaton nëpër studio edhe për ngjarjet politike.

“Shumë ma mirë e kish lujt ky “Xhek Setrën” sesa Naser Rafuna. Mega-primitivizimi i këtij soji që fyen çdo vlerë kombëtare dhe tenton të shuaj çdo shpresë po i bind edhe pjsën e vogël neutrale të shoqërisë se duhet mbështetur shansin e fundit për ndryshimin thelbësor”, shkruante Berisha më 28 janar të 2021, transmeton Gazeta Insajderi.