Sigurimet shëndetësore: Më në fund, draft projektligji drejt finalizimit

Qytetarët e Kosovës janë ndër të vetmit në rajon që nuk kanë sigurime shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë thotë se në bazë të Programit Legjislativ Qeveritar për vitin 2022, ka hartuar një draft të Projektligjit për sigurime shëndetësore i cili pritet të finalizohet.

Ndërsa nga Shoqata e Pacientëve thonë se pa sigurime shëndetësore nuk mund të presin një reformë në shëndetësi dhe çdo ndryshim tjetër që bëhet është vetëm ndryshim kozmetik.

Nga Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje me shkrim për Radio Kosovën, është thënë se Projektligji sa i përket sigurimeve shëndetësore është në proces të finalizimit dhe pas konsultimit me ekspertë të jashtëm, do të përcillet për konsultime publike.

Besim Kodra, nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, ka thënë se sigurimet shëndetësore ndikojnë në cilësinë e shërbimeve.

Por sipas Kodrës, vetëm institucionet që kanë ndikim në sistemin shëndetësor mund t’i çojnë proceset përpara për sa i përket sigurimeve shëndetësore.