Siria e njeh pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Republika Arabe e Sirisë ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Osmani përmes një postimi në rrjete sociale, ku njoftoi se marrëveshja është arritur sot në Riad.

Ajo tha se njohja u bë e mundur me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

“Sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë,” shkroi Osmani.

Presidentja shtoi se kjo njohje është më shumë se një akt formal diplomatik, duke e quajtur “njohje të sakrificës së shumë brezave për liri”.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” theksoi ajo.

Në fund, Osmani falënderoi Princin e Kurorës së Arabisë Saudite për ndërmjetësimin dhe theksoi se me këtë njohje, Kosova tani njihet nga 120 shtete të botës.

“Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë,” përfundoi Presidentja Osmani.

Siria është bërë kështu shteti i 120-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.