Sokol Haliti betohet për mandatin e tretë

Në një seancë inauguruese të Kuvendit Komunal të Vitisë, Sokol Haliti është betuar për mandatin e tretë si kryetar Komune, pasi ia doli t’i fitojë zgjedhjet e tetorit.

Njëherësh, po në këtë seancë janë betuar edhe 27 anëtarët e rinj të Kuvendit.

“Jemi të përkushtuar të përfaqësojmë interesat e qytetarëve pa dallim partish. Mandati i ri që më është dhënë nga qytetarët, është përgjegjësi e obligim për mua, prandaj do të angazhohem e do të jem i përkushtuar për një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, për arsim, shëndetësi, kulturë e sport, bujqësi e gjitha sferat e jetës. Do të angazhohem për transparencë e llogaridhënie”, ka thënë kryetari Haliti.

Ai ka kërkuar bashkëpunim nga të gjitha subjektet e përfaqësuara në Asamblenë komunale, për interesa të qytetarëve.

Ndryshe, kjo është përbërja e re e Kuvendit të Vitisë: 11 këshilltarë nga LDK, 8 nga LVV, 7 nga PDK dhe 1 AAK.