Sonte Drita-Differdange, gjilanasit synojnë fitore
Gara më e madhe në Evropë, Liga e Kampionëve rikthehet sonte më ndeshjet e fazës së parë kualifikuese, shkruan RTK.
Kampionia e Kosovës, Dritën, në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet me Differdange nga Luksemburgu, në një duel që mund të shënojë një hap historik për futbollin kosovar.
Ky është një mision historik për Dritën, por edhe për futbollin e Kosovës, pasi asnjë klub kosovar deri më sot nuk ka arritur të kalojë këtë fazë të garës më të madhe evropian për klube.
Klubi nga Gjilani vjen me entuziazëm dhe formë të mirë, dhe synon ta çojë futbollin kosovar në një tjetër nivel përmes një kualifikimi që do të ishte historik.
Trajneri i Dritës, Zekerija Ramadani, ka kërkuar nga të besuarit e tij përkushtim maksimal në duelin e sotëm.
“Na pret një sfidë e re, ndryshe nga ajo e vitit të kaluar kur u paraqitëm në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Kemi obligim moral që të përfaqësojmë sa më mirë jo vetëm Dritën dhe qytetin e Gjilanit, por të gjithë futbollin kosovar”, ka thënë Ramadani.
Ndeshja mes Dritës dhe Differdange fillon në orën 20:00.
