Sot i jepet lamtumira 48-vjeçares që u vra në Prishtinë
Si pasojë e një përleshje mes dy grupeve, dy net më parë në Prishtinë mbeti i vrarë me armë zjarri i riu Egzon Haziri, kurse u plagosën tre persona të tjerë.
Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnije Gashi, e cila ndërroi jetë dje në spital.
Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet sot me kohën e ikindisë në varrezat e qytetit në Arbëri.
E ndjera, 48-vjeçe, ka lënë pas vetes bashkëshortin dhe katër fëmijë.
Katër personat që po dyshohen për plagosje dhe vrasje, të cilët ndodhen në arrati tashmë janë shpallur në kërkim nga Policia.
Fitim Doda dhe Arijan Sijarina dyshohen për tentim vrasjen në lagjen Kolovicë, në orët e pasdites, ndërsa vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha po kërkohen për vrasjen e rëndë, që ndodhi në mbrëmje.
Edhe pse po hetohen si dy raste, motivi dyshohet se lidhet me konfliktin pas plagosjes së Naim Berishës, viktimë e rastit të parë dhe i dyshuar për rastin e dytë.

