Sot jam e trishtuar, por jo e heshtur – u votua ligji për “barazinë gjinore”

Albana Osmani

Si qytetare e këtij vendi dua të them qartë: Drafti publik i depozituar në Kuvend përmban:
1. identitet gjinor
2.shprehje gjinore

Këto nuk janë vetëm “burrë” dhe “grua”. Janë terma të rinj ligjorë dhe kanë mbetur në tekst, edhe pasi disa pika u shkurtuan.

Para pak ditësh qytetarëve iu tha se ligji “ka vetëm dy gjini”. Por kjo fjali nuk gjendet në asnjë dokument zyrtar.

Në draftin e publikuar në faqen e Kuvendit, termi “burrë” dhe “grua” nuk janë përkufizimi i vetëm.

Janë të shtuara nocionet “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”, të cilat tashmë bëhen pjesë e ligjit në mënyrë legjitime.

Dhe çfarë do të thotë kjo? Kur një term futet në ligj:

1.institucionet e zbatojnë
2.gjykatat e interpretojnë
3. shkollat mund ta fusin në programe
4. prindërit nuk kanë bazë ligjore për ta kundërshtuar,

Çdo kundërshtim mund të trajtohet si “diskriminim”. Ky është funksionim juridik. Jo opinion. Dhe ka pasoja.

U tha se ligji është “100% në përputhje me BE dhe Konventën e Stambollit”.

Nëse është kështu, atëherë duhen dokumente zyrtare:

1.opinion nga GREVIO, organi i Këshillit të Europës që monitoron Konventën e Stambollit
2.dokument nga Komisioni Europian / EUR-Lex që kërkon “identitet gjinor”

Derisa të dalin këto dokumente, deklarata për përputhje mbetet politike, jo ligjore.

Unë nuk jam kundër askujt. Nuk kam urrejtje për askënd. Nuk jam këtu për t’i përçarë njerëzit. Por jam këtu të them atë që shumë shqiptarë po mendojnë dhe nuk e thonë dot:

Që në këtë vend, familja është themeli. Dhe fëmijët janë kufiri.

Asnjë ligj nuk duhet të miratohet me mjegull.

Asnjë fëmijë nuk duhet të bëhet eksperiment ligjor.

Asnjë prind nuk duhet të ketë frikë se çfarë do t’i mësohet fëmijës së tij pa të drejtë fjale.

Shqiptarët janë popull që duron shumë.

Por jo kur vjen puna te fëmijët, te familja, te gjenerata e ardhshme.

Ne kërkojmë vetëm qartësi. Dokumente, jo fjali. Transparencë, jo justifikime. Fëmijët nuk negociohen. Familja shqiptare nuk negociohet.

E ardhmja e këtij vendi nuk negociohet.

Sot jam e trishtuar, por jo e heshtur.

Dhe nuk do të jem vetëm.

Zoti e bekofte dhe e ruajte Familjen Shqiptare.

Zoti e bekofte dhe e ruajte Shqiperine.