Sot, në Speciale mbahet seancë për rastin Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi
Gjykata Speciale në Hagë do të mbajë sot seancë të re ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, e cila fillona nga ora 11:00.
Gjyqtari i procedurës paraprake me këtë rast ka kërkuar nga mbrojtja që të dërgojë parashtresat me shkrim deri më 15 dhjetor në orën 16:00.
Po ashtu, ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të njëjtat t’i dërgojë deri më 14 dhjetor në orën 16:00.
Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit më 26 tetor 2020.
Në pajtim me rregullën 88(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk u bë publike në atë moment.
Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.
Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

