Sot të pashë, komandant
Sabedin Sherifi
(kushtuar shokëve që ende rrënkojnë nga plagët e luftës)
Sot të pash, komandant,
në udhën ku dikur na prinje,
tash ecje mes hijesh të liga,
mes fytyrash që fshijnë dritën e burrnisë.
Na harrove, komandant…
Ne që dikur t’i ngritëm duart drejt qiellit,
ti na i puthje si vëllait plagën,
e sot kalove pranë nesh
si era që s’kthen kokën pas.
Por s’ke faj…
Koha na rrudhi,
plagët u bënë gurë mbi supe,
hapat na u tretën, u bënë të rëndë,
u bënë tapall prej viteve të varfra.
E prapë, kur të pash…
zemra ime u drodh si dikur,
jo për ty, komandant,
por për ditët kur besonim
se nderi nuk shkelet,
e shokët nuk harrohen kurrë.

