Viktimat që u aksidentuan tragjikisht janë nga familja Arsllani, nga fshati Gërçeci i komunës së Sarajit në Maqedoni të Veriut.

Tri gra të familjës Arsllani, u nxorën të vdekura nga vetura e aksidentuar, mbrëmjen e 2 janarit, ndërsa 5-vjeçari gjatë rrokullisjes së veturës ka dalë nga vetura dhe atë e kanë gjetur disa kalimtarë të rastit.

Mjekët kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Trupi i kryefamiljarit i cili ndodhej po ashtu në vëturën e aksidentuar u gjet të premten rreth orës 15:00.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kanë bërë të ditur se kanë filluar hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Në njoftim po ashtu thuhet se do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës.

“Pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në terrene të paarritshme, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave me qëllim përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Sipas informacioneve fillestare, automjeti drejtohej nga njëri prej të ndjerëve. Gjithashtu do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në kumtesë e Prokurorisë Themelore.

Mediat në Maqedoni të Veriut raportuan se në veturë ishin kryefamiljari me gruan, vajzën, nusen e djalit dhe nipin.

Sipas tyre, nusja dhe nipi kishin ardhur për pushime nga Italia.

Viktimat pritet të varrosen sot, në fshatin Gërçec, ndërsa i mituri i vetëm i mbijetuar nga tragjedia raportohet se është kthyer në shtëpi, pranë familjarëve të tjerë.