Sot vazhdon gjykimi ndaj Naim Murselit – vëllai i Liridonës pret proces të drejtë dhe pa gabime

29 nëntori shënon dy vjetorin e vrasjes që tronditi të gjithë vendin. Të resë Liridona Ademaj iu mor jeta në prani të famijëve të saj.

I dyshuari kryesor, i cili edhe po gjykohet për këtë rast, bashkë me dy të tjerë, është Naim Murseli, bashkëshorti i saj.

Gjykimi do të vazhdojë sot, ka njoftuar vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ademaj thotë se është e rëndësishme që procesi të jetë i drejtë dhe profesional.

“Java që po vjen është e vështirë për ne, pasi më 29 nëntor bëhen dy vite nga vrasja e Liridones sonë. Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen që ndjejmë. Vetëm drejtësia e shpejtë, profesionale dhe pa gabime mund të na lehtësojë dhimbjen e rëndë që po e përjetojnë fëmijët e saj dhe ne”, ka shkruar Ademaj.

Sot në seancë pritet të jetë prezent edhe i akuzuari kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli.