Sot vdiq një veteran, një më pak për ju kumbarë…!
Izmi Zeka
Lufta dhe paslufta shfaqën papërgjegjësinë dhe inatet politike, duke i shndërruar në prerje që ndikuan në një klimë që e ardhmja do ta kujtojë si përpjekje për të devalvuar të arriturat e luftës çlirimtare, gjegjësisht çlirimin e Kosovës.
Ata që ranë për këtë vend, qoftë edhe për kurtuazi, shihen si njerëz meritorë dhe rikujtohen e përkujtohen qoftë për një copë votë e ata që bartën barrën dhe sakrifikuan, e vuanin shpirtërisht rënien e tyre në frontet e luftës.
Megjithatë të rënët u përkujtuan dhe u nderuan.
Edhe sot ka tendenca për ndryshimin e historisë, por gjërat faktike flasin ndryshe dhe në këtë aspekt zhurma po venitet.
Një çështje tjetër që nuk ka mbarim, sepse nuk po trajtohet si duhet, është çështja e luftëtarëve të gjallë.
Zhurma e bërë deri tani, fjalët pa mbulesë e deri te fyerjet, do të mbeten njollë e zezë e historisë më të re të Kosovës.
Për atë zhurmë të bërë besoj që nuk do t’u mbetet kohë.
Veteranët, luftëtarët po vdesin pothuajse çdo ditë, nga një, dy e tre.
Po vdesin nga shumë faktorë dhe ne as që e kemi dertin e tyre.
Luftëtari i sotëm, apo më thjesht, veterani ka mbetur nën hijen e njerëzve që për këtë vend nuk kanë bërë asgjë.
Unë e kam të qartë se edhe liria e sotme dikujt ia ka prishur kumbarinë me pushtetin e kaluar serb e jugosllav, ia ka prishur rehatinë e vëllazërim-bashkimin.
Prandaj, pinjollët e tyre nuk falin qoftë edhe pse liria u erdhi si fllad pranvere.
Sot rrini të qetë se veteranët po vdesin. Po ikin ashtu të heshtur, siç e bënë luftën dhe nuk kërkuan asgjë nga shteti që e krijuan vet.
Ata po vdesin dhe nuk keni nevojë të qani me lot krokodili.
Kurse te dëshmorët, shkoni se aty mund të shpërlani fytyrën tuaj, aty mund edhe të thirreni në vlerat e luftës çlirimtare.
Edhe te gratë e dhunuara, shkoni se u duhet për pak fytyrë dhe kurtuazi para publikut.
Sot vdiq një veteran. Mos u merrni me të. Një më pak. Ishin shumë.
Ani thirruni edhe në Adem Jasharin. Ai nuk zgjohet. U duhet për pak fytyrë.
Një nga një veteranët po ikin në botën e përtejme.
Kënaquni ju kumbarët dhe pinjollët që e latë Kosovën më shumë se një shekull të robëruar.
Diçka mos harroni, shteti, qoftë edhe ky i sotëm, me një qeveri që është bërë për gjynah, do ju hajë përbrenda një ditë.
Nuk do të jetë e largët ajo ditë.

