“Spec për spec, të gjithë njësoj” — Një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj teatrit politik në Kosovë

Nga: Dr. Elez Elezi

Shumë tregime popullore shqiptare nuk janë thjesht fabula argëtuese — ato janë thesare mençurie që na tregojnë të vërteta të hidhura, shpesh më qartë se çdo analizë politike.

Një nga këto është tregimi për Mehmet Reçanin, kryeplakun e Drenicës, i cili u ballafaqua me një mbledhje të tërë vilajetit të shqetësuar për pashën që “po i dëmtonte”.

Kur Mehmetin e thirrën për të marrë vendim, ai kërkoi një pjatë me speca djegës. I tregoi një spec dhe pyeti:
— A ka ky ndonjë dallim nga të tjerët?
— Jo, i thanë.
— Atëherë, spec për spec, le të mbetet ky që e kemi!

Sot, kjo metaforë është frikshëm aktuale në skenën politike të Kosovës.

Kur dëgjojmë që opozita kërkon të “ndryshojë” Kryetaren e Kuvendit, znj. Albulena Haxhiu, duke propozuar një tjetër figurë nga e njëjta “pjatë”, kuptojmë se nuk bëhet fjalë për reformë, as për përmirësim institucional — por për një farsë të shëmtuar politike.

Në vend që të sjellin ide, vizion dhe programe të reja për ta nxjerrë Kuvendin nga bllokadat, për ta kthyer besimin e qytetarëve në institucione dhe për ta rikthyer Kuvendin në rolin e tij të vërtetë, opozita merret me ndërrimin e emrave, thua se problemi i këtij vendi është një individ i vetëm.

Kjo tregon mungesë serioze të mendimit strategjik dhe dëshmon krizën e thellë të vlerave në të cilën ndodhet klasa politike.

Në fakt, qytetarët tanë nuk kanë nevojë për ndërrim kukullash. Ata duan reformë të vërtetë, guxim për të prekur temat e mëdha: sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, shëndetësia dhe arsimi.

Ata duan drejtësi për të varfrit, perspektivë për të rinjtë, mbështetje për fermerët dhe punëtorët. Por në vend të kësaj, po u ofrohet një spektakël i pështirë me rotacion figurash që as nuk sjell, as nuk premton asgjë.

Ironikisht, çdo figurë e re që sugjerohet, vjen nga e njëjta “pjatë politike”. Atëherë, për çfarë ndryshimi flasim? Spec për spec — janë të gjithë njësoj.

Ky lloj “ndryshimi” është fyerje për inteligjencën e qytetarit. Është një tentativë për t’i mashtruar votuesit, për t’u paraqitur sikur po ndodh një transformim, ndërkohë që gjithçka mbetet e pandryshuar në thelb.

Sot, më shumë se kurrë, na nevojitet një debat i ndershëm politik, jo një pazar emrash.

Kuvendi i Kosovës ka nevojë për njerëz që e kuptojnë peshën e përgjegjësisë dhe fuqinë e shembullit personal. Liderët e vërtetë nuk ndërrohen si flamujt, ata rriten dhe provohen në vepra.

Në vend që të lodhemi me pseudondryshime, është koha të kërkojmë përgjigje për pyetjet që djegin vërtet:
• Ku janë rezultatet konkrete në ekonomi?
• Ku është drejtësia që u premtua?
• Pse të rinjtë ikin çdo ditë nga vendi?
• Pse ende nuk ka reforma të thella në administratë?
• Ku janë projektet zhvillimore që do ta mbajnë rininë në Kosovë?

Në fund, tregimi i Mehmet Reçanit nuk është vetëm një histori. Është një pasqyrë.

Dhe sot, kur shohim opozitën që propozon “ndryshim” vetëm për t’u dukur aktivë, duhet të kemi kurajën t’u themi publikisht: Spec për spec, të gjithë jeni njësoj!