Specialja: Mbajtja e Gucatit dhe Haradinajt në paraburgim, e domosdoshme

Zyra e Prokurorit të Specializuar e vlerëson të domosdoshëm mbajtjen në paraburgim të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinaj.

Këtë qëndrim, kjo zyrë ia ka shprehur edhe gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, i cili paraprakisht konsideron se dyshimi se të akuzuarit kanë kryer veprën penale kundër administrimit të drejtësisë brenda jurudikisionit të Dhomave të Specializuara është i bazuar. Në parashtresën e ZPS-së, thuhet se gjykatësi kishte gjetur bazë të besueshme se Gucati dhe Haradinaj përbëjnë rrezik të arratisjes, pengimin e procedurave penale dhe përsëritjen e veprave penale.

ZPS konsideron se këto gjetje të gjykatësit qëndrojnë ende. Mbi këtë, nga kjo zyrë argumentojnë se krerët e OVL-së duhet të mbahen edhe më tutje në paraburgim.