Specialja publikon aktvendimin e fundit për ish-presidentin Thaçi

Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep ka bërë të ditur se kjo gjykatë ia ka vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Në konferencën për medie të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ajo ka bërë të ditur se në rastin Thaçi dhe të tjerët, të martën, me 25 janar, një version i redaktuar publik i vendimit i gjykatësit të procedurës paraprake u dorëzua, me të cilin urdhërohej mbajtja e mëtejme në paraburgim e Hashim Thaçit.

“Gjykatësi i procedurës paraprake konstatoi që rreziku se i akuzuari të pengoj procedurat ose të kryej krime të tjera mund të zbutet mjaftueshëm përmes kornizës për monitorimin e komunikimit të objekteve të paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Griep.

Tutje, ajo bëri të ditur se të premten, më 21 janar, trupi gjykues 1 urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Salih Mustafës .

Sipas saj, gjykatësit konstatuan se rreziku i pengimit të ecurisë së procedurës vazhdon të ekzistojë, përfshirë rrezikun e ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë.