S’reagoi për sulmin ndaj gazetarit, polici suspendohet për 72 orë
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin nga puna të rreshterit policor, Sali Elezkurtaj, i cili dyshohet se nuk reagoi për sulmin ndaj gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se Elezkurtaj është suspenduar për 72 orë.
“Pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimin dhe sugjerimin nga IPK , me qëllimi të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një Rreshter Policor nga Stacioni Policor Prizren”, thuhet në njoftim.


