Stane Gashi – nëna e mbi 300 luftëtarëve të UÇK-së
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vizituar në Peshter të Brusit, në shtëpinë-bazë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nënë Stane Pjetër Gashi.
Ahmeti u prit me ngrohtësi nga Nëna 80 vjeçe, së bashku me djemtë e saj, ish-ushtarët e UÇK-së, Filip e Fatmir Gashi, si dhe vajza File Gashi.
Mikpritja u zhvillua në frymën e traditës së pastër shqiptare dhe respektit të thellë për sakrificën kombëtar, njofton TS.
Nënë Stane Gashi njihet si një nga figurat më emblematike të mbështetjes civile gjatë luftës, pasi në shtëpinë e saj ka pritur dhe përcjellë mbi 300 luftëtarë të UÇK-së, duke u ofruar bukë, strehë dhe përkujdesje për plagët dhe rrobat e tyre.
Ali Ahmeti i uroi Nënës Stane shëndet, jetë të gjatë dhe të lumtur, të rrethuar nga familja e saj, ndërsa theksoi se qëndrueshmëria dhe sakrifica e saj mbeten frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
Një moment i veçantë ishte dhurata simbolike që Nënë Stane i bëri Ali Ahmetit – libri “Nëna e mbi treqind luftëtarëve”, të autorit Ibrahim Kadriu.
Kjo shtëpi historike ka shërbyer si vatër ushqimi, strehimi dhe organizimi për heronj, dëshmorë, ushtarë, komandantë dhe drejtues zonash e brigadash të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


