Strategjia intelegjente e krijimit
Prend BUZHALA
(Sabit Rrustemi: “Muralet e shpirtit”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2013)
Poetët thurin ndërtekste, intertekste, për ta ndihmuar lexuesin të hyjë në botën poetike me përkufizime të titullit e nëntitullit, siç është vëllimi “Murale shpirti” i Sabit Rrustemit. Muralet vijnë nga bota e pikturës (pikturimet në mur).
Është arti më i lashtë, që nga murali prehistorik egjiptian i pikturuar në një mur varri Nekhen, diku 3500 vjet para epokës së re. Murale janë afresket, mozaikët, mbishkrimet. Autori e ka thurë titullin e librit të tij mbi dy baza nocionesh botëkrijuese artistike: nga ajo e fizikes, artit të pikturës (shenjë e realitetit objektiv) dhe nga ajo e botës së brendshme, shiritit njerëzor: murale shpirti.
Pas titullit vjen nëntitulli me shenja matematikore, kllapa: [G(r)afite dymijetrembëdhjetë], për të shënjuar, me anë të poetikës sinjaliste (a poezisë pamore, pikturale), vitin 2013, kur u shkruan dhe u botuan këto poezi. Para poezive vjen edhe një paratekst me ton përkushtues:
U renditën
Ashtu si erdhën…
Një Murale Shpirti
Për Shpirtin Tuaj mbetën!
Janë 100 poezi, si një tërësi poetike, që mbajnë datat 28 maj deri më 27 korrik 2013. Është trajta e një ditari poetik, i reagimeve poetike të përçdoditshme.
Muret në jetën e përditshme i hasim në çdo hap, shpesh janë ato muret shoqërore, politike, autoritare etj., apo muret destruktive; sikur ato i hasim si pengesë për të triumfuar vlerat; atëherë poeti përgjigjet në mënyrën e tij, … përgjigje tipike për shkak të vlimeve e shqetësimeve brenda nesh; poeti përgjigjet me sfidën e tij poetike, me ditarin e tij lirik: ja, unë jam ai që përgjigjem kështu, thotë shpirti i poetit.
1. Teksti çmitizues: ndërkomunikimet estetike
Ditari poetik është ajo formë, e huazuar nga trajta zhanrore e ditarit, si trajtë dokumentare, ku reagimet, jepen drejtëpërdrejtë nga dita në ditë, në këtë rast, reagimet jepen poetikisht.
Nëse kemi parasysh që Sabit Rrustemi ka filluar të botojë që nga vitet 70 e 80 e këndej, tashmë ai ka hyrë në fazën e pjekurisë krijuese.
E faza e pjekurisë së tillë (tipi senex i krijuesit) rëndom merret vetëm me kujtesën; apo nëse ekziston edhe tipi i krijuesit të ri që quhet puer e merret me ëndërrimin; poeti Sabit Rrustemi iu ikën këtyre dy skajeve, nuk merret me kujtesën në të kaluarën, as me ëndërrimet e së ardhmes për jetën, por me aktualitetin, ballafaqohet drejtëpërdrejtë me jetën e sotme bashkëkohore.
Nëse fjala MURALE në pikturë shënjon një imazh ose një shenjë, poeti në këtë rast e ndërthur, pra, ndërkomunikimin estetik mes pikturës dhe poezisë… atëherë këto murale nuk janë thjesht copa idesh, përsiatjesh, bisedash e kuvendimesh që poeti i zhvillon me jetën e përditshme, i shqiptuar , i thënë në mënyrë poetike.
Të duket pra se është një monolog i gjatë, të gjitha ato copëza përbëjnë një monolog dhe të gjitha ato së bashku i ngjasojnë një romani poetik.
S’ka rëndësi se si mund ta quajmë këtë, poemë apo roman lirik apo thjesht poezi… në këtë krijim poetik, poeti i shpalos thellësisht e qenësisht temat poetike.
Te “Muralet e shpirtit”, Sabit Rrustemi, nëpër copëza lirike ndërthur lojën e tij autoironike me kuvendimet midis të sotmes dhe traditës, më saktësisht një përplasje identitetesh midis të djeshmes dhe modernitetit, midis marrëdhënieve të ndryshme njerëzore dhe atyre personale.
Të njëqind muralet poetike ngjajnë në një shirit filmi që lëviz me dinamikën e zhvillimit të sekuencave të mprehta të realitetit tonë, nga njëra anë, si dhe të botës intime, emocionale. nga ana tjetër. Për nga strukturimi i tillë, kushtimisht tematike-motivore, do të thoshim se “muralet…” shpalosen nëpërmes disa punkteve të tilla, siç janë:
1. Përditshmëria, autoironia, përqasjet satirike, ndaj fenomeneve të kësaj përditshmërie;
2. shpalosja e erotologjisë së tij, tashmë të zhdrivilluar e të rrumbullakuar edhe nëpër disa libra të tjerë, me konceptualizimet personale të dashurisë, mu në vlugun e “muraleve…” të nxehta të përditshmërisë;
3. përqasjet e autorit me veprën, frymëzimin, krijimin artistik (metapoezia);
4. shpalosjet e identitetit tonë kolektiv, etnik, në përqasje me theqafjet e fenomenet e modernitetit dhe
5. idealiteti jetësor-poetik kundruall këtyre realiteteve të ndërliqshme.
Ky vëllim lexohet si një ditar ngjarjesh nga njëra anë (secila poezi mban datën e krijimit, brenda dy muajsh) dhe si përqasje e ndërkomunikimit artistik mes arteve (muralet si “zhanër” piktural dhe poezia që komunikon përmes metaforave pikturale dhe imazheve).
Tekstet vijnë si një serial i gjatë, aty ku shqiptohet të folurit e tërthortë, shpesh me tone ironike e autoreferenciale, me silogjizma në pajtim me ato nivele ligjërimesh që i përmendëm më sipër, të tujguna herë me thënie të urta e herë me shaka ironike, të holla e të zgjuara.
E pra, autori ndërkomunkon me disa arte: jo vetëm me pikturën, por, me strukturën e sekuencave, montazheve e fragmenteve që lexohen si një tërësi; ai e gërsheton në krijimet e tij edhe mediumin e filmit.
Kësisoj, zhanri poetik i ditarit, metatekstet, autoreferencat, ndërtekstet, nocionet zhanrore të pikturës dhe strukturat montazhore të filmit, i japin këtij vëllimi një kuadër të pëlqyeshëm artistik.
Ndryshe nga një dorë poetësh modernë, që reshten pas patosit a emocionit lirik, Sabit Rrustemi me realizimin e tij poetik na shfaqet një folës gjakftohtë. Një organizim i tillë i 100 poezive, si “murale shpirti” sugjerojnë një koherencë kuptimore të vëmendshme.
Ka një ndërthurje të habitshme mes skenave poetike të realitetit të përditshmën dhe atyre me prirje përndriçuese të autoreferencave, ajo që është sferë intime e frymëzimit dashuror, me praninë e lëvizjeve të tejdukshme njerëzore.
Dhe kudo vërehet prania e zërit personal, e folësit lirik autoideografik, që identifikohet me të dy ato sfera: intime e publike.
Sabit Rrustemi është një autor që i jep librit të tij strategji inteligjente të shkrimit; një poet që krijon tekste problematizuese, d.m.th. tekste që sfidojnë shumëçka, tekste që thurin dialogë me proceset e të menduarit kritik, tekste që i çmitizojnë situatat e realitetit të përditshëm nga aureolat e rrejshme.
2. Teksti problematizues: teofrastiada poetike e përditshmërisë
Poeti nuk fal, prandaj ai sfidon dhe problematizon situatat jetësore, intime e shoqërore, duke i spikatur këndvështrimet si përsiatje të ndërgjegjes, por edhe si gjendje që duan të motivojnë shpresën, veprimin, për ta bërë hapin e urtë në jetë.
Trajtën e tillë të strategjisë së shkrimit Mishel Fuko (Michel Foucault, vepra “Historia e çmendurisë”), e konsideron si formë specifike të analizës kritike edhe në arte; kjo “histori” e Fukosë shqiptohet si “historia e mentaliteteve”.
Kështu, përgjatë gjithë librit poetik “Muralet e shpirtit” do të vërejmë një karakterologji të tërë e të larmishme të përditshmërisë a realitetit tonë.
Te “murali” i njëzetetetë shfaqen tre “tipa” karakteresh: puthadorët, miku që do të rreshtohet në lagjen e këtyre puthadorëve dhe folësi lirik, me etikë të fortë:
Hiqu nga puthadorët
në ia do të mirën vetes
e mikut
“Muralet … ” tjera ekspozojnë edhe tipa të tillë të ngjashëm, siç janë ata që nuk shohin se prej ku nisen e kah ia mësyjnë (nr. 36), tjetërsimi i tjetrit mik si “njeri i madh” (nr. 37), njerëzit që përdorin bërrylat, d.m.th. ata që i mënjanojnë të tjerët pa të drejtë nga një fushë veprimtarie me veprime dredharake (nr. 48), mospërfillësit e përgjuesit (nr. 50), tinëzari (prototip i qëllimeve të këqija), që çmaskohet (nr. 53), fodullët e mburravecët (nr. 54), kurse “murali” nr. 57 na ironizon:
Hajdeni hajdeni
kush do dushk për gogla
e fjalë me rrotulla
sa s’u dogj nënsqetulla
një mëngjesi me petulla
hajdeni hajdeni
xhepzbrazur që jeni
as dushk për gogla s’keni
Të çmaskuarit tashmë s’kanë asnjë vlerë, mbasi gjithçka e ligë doli përfushë, e, nëse kanë diçka, ai është mall pa asnjë vlerë (dushk për gogla); folësi lirik sugjeron fjalët me rrotulla (të folurit e tërthortë, me thumba).
Kështu vazhdon, duke e pasuruar teofrastiadën tonë (teofrastiada nënkupton karakteret sipas veprës së Teofrasitit) edhe nëpër disa poezi të tjera, gjithnjë duke pikëzuar shënjuar realitete e portrete të deformuara, të tjetërsuara skajshëm, qoftë me anë të frazeologjizmave të tilla referenciale ironike, qoftë me anë të strukturave të modelit tekstual satirik, qoftë edhe duke e sintetizuar një situatë me anë të një thënieje të urtë, qoftë me pozicionin e folësit lirik që përfaqëson zërin autoritar të të vërtetës, apo me spikatjen e thesarit të përvojave jetësore.
Mirëpo, fatkeqësisht, mjegulluesit e situatave shoqërore janë të ndryshëm e të shumtë, sa e detyrojnë këtë folës lirik të thotë: “mu ka mbështjellë dhe mua oborri” d.m.th. është bëri i paaftë e i hutuar; kurse në fund të kësaj poezie (nr. 59), kulmon paradoksi i thënies si paradoks i realitetit: “sa larg shtëpia prej oborrit”: do të thotë, situata e hutimit dhe e koklavitjes sociale e kohore është skajshmërisht e ngatërruar, pa rregull, e paqartë, e vështirë për t’u kuptuar e për t’u zgjidhur.
Përdorimi i shumë imazheve dhe efekteve, apo i paradokseve dhe i shprehjeve oksimonorike është një tipar krijues i poezisë së Sabit Rrustemit.
Te “murali” nr 60 skena (fjala skenë është shenjë e rrethanave dhe kushteve të ngjarjeve të kohës), pushtohet nga mashtrimi, gënjeshtra. Publiku (populli) është i pushtuar nga atmosfera e tillë që pëson dergjje…
Më tutje në këtë karakterologji poetike futen edhe lakuriqët, iriqët, papagallët, merimangat etj. e që shënojnë gjendje e rrethana, në të cilat veprojnë njerëz shpirtngushtë të dhënë pas interesash vetjake e që interesohen vetëm për mirëqenien e vet; apo që shënjojnë mendësi të mykura apo mënyra të sjelljes së gabuar.
Në këso rastesh, sikundër vërehet, toni i poezisë merr përmasat e një shqetësimi të kreshpëruar të vetëdijes artistike.
Ndërkaq, te shumë poezi a “murale” të tjera poetike, lexojmë një ligjërim që i dhuron përsiatjeve të tij një ton tjetër, më të lartë; lexojmë tekste që mbështeten në introspeksionin reflektues.
Është ai shtegu lirik-meditativ që na del përpara, për të na sqaruar se si ne mendojmë për veten tonë, për rrethin, kohën dhe shoqërinë.
Përgjigjet nuk janë fundore, por të shumëllojshme. Folësi lirik vlerëson dhe rivlerëson, vepron në një situatë dhe del prej saj,
3. Teksti për dashurinë: shenjtëria e ndjenjës
Një tjetër bosht tematik, që mbushullon mozaikët poetikë të këtij vëllimi, janë “muralet” e dashurisë. Poezia është shkruar e krijuar tashmë në moshën që e ka kapërcyer pragun e mes-jetës: atë fenomen krize që e kaplon secilin; kur njeriu ndien vazhdimisht nevojë të shtrojë pyetje ekzistenciale dhe jetësore. Dhe përgjigjen më të mirë për to, e gjen nëpërmes vargut poetik.
E ai që e ndien më thellë këtë fenomen, është i pjekur për ngritje shpirtërore, do të thoshte mistiku i dikurshëm, I. Tauler; poezia, posi Hyji, na shpie në pyetjet përplot dilema e dyshime, pikërisht aty, në thellësitë e brendshme, ku do të takohen të gjitha forcat e shpirtit, aty ku njeriu është vetvetja.
Poezia, në aso çastesh, na vë para kërkesës për vetënjohje; e pikërisht në aso çastesh kur tronditet së brendshmi qenia jonë (personale a kolektive), pikërisht atëherë ne do ta njohim më mirë vetveten, do ta njohim aty ku është fshehur esenca e qenies sonë.
Poeti shqipton lojën e gjakimeve të kësaj ndjenje, sepse te ky emocion i bukur, si është ai i dashurisë, ndërveprimi i qenieve të dashuruara zbulon dhe krijon anë të reja edhe të vetvetes për të tjerët, edhe të qenies që do, të dashurës.
Dashuria qëndron gjithnjë edhe në marrëdhënie me socialitetin. Dashuria i jep kuptim kohës; ajo ringjall kujtesën e djeshme, mbushullon botën e individit në të sotmen dhe e deytron protagonistin e dashuruar të meditojë për të ardhmen… Është ndjenjë transformuese e jetës.
Poeti nuk ndien nevojë të ndeshet me boshllëkun a zbrazëtitë metafizike të kotësive apo të dështimeve, qoftë edhe atëherë kur na fton në njohjen e harresës:
(42)
Harresën time po e ndeshe kund
në daç grimcoje me dhëmbë
në daç shtype me këmbë
e kam përzënë shkaku yt
dhe në u ktheftë tinëz
një kurth ia lashë pas shpinës
froní i kujtesës është për ty e dashur
(22 qershor 2013)
Lirika e moshës së pjekur përbën kryefjalën që i esencializon motivet poetike, kurse hapësira e paanë e këtij universi poetik mbushullohet pakufishëm me motivet e amshueshme të dashurisë.
Ndryshe nga ai indi i lirizmit që e bën artin poetik dhe pa të cilin nuk bën poezia lirike; megjithatë poeti Sabit Rrustemi strukturon një poezi konceptuale, me mbështetjet tek parimet e jashtme organizuese të tekstit poetik; poezi që mbështetet tek biografemat e jetës si ditar poetik; kur realiteti i përditshëm është i padurueshëm, siç e pamë më parë, atëherë ai e kapërcen gjendjen e tillë me konceptimin e diskursit bashkëbisedues me konvencat poetike.
Duket sikur është i vetëm në këto beteja. Dhe shoqërues i ka ndarjet, pritjet… muret:
(15 )
Se si e lexova çka kishe shkruar
në një mur
krejt rastësisht
“do ta thërras
sa herë të mendojë që e kam harruar”
desha ta prekë
desha ta ruaj atë mur
si kujtimin që jeton dhe pa mua
nuk munda
se ish muri i zemrës sime
(6 qershor 2013)
Simbolika e murit qëndron mes semantikës së ndarjeve dhe mburojës së shpirtit. A ka shoqëri pa mure? Muralet janë metafora të së bukurës, agens të shpirtit.
“Muret bënë të mundur përkushtimin e jetëve njerëzore drejt qëllimeve më të larta shpirtërore në krahasim me luftën e vazhdueshme për mbijetesë përballë kërcënimit të jashtëm… na sugjeron simbolikën e pasur të hieroglifeve egjiptiane, në të cilat muri është një shenjë që lidhet me ‘ngritjen mbi nivelin e përbashkët’ drejt transcendencës” (David Frye, “Walls: A History of Civilization in Blood and Brick”).
Poeti Sabit Rrustemi e krijon poezinë si pikturim muralesh. Muralet në religjione janë ikona të shenjta. Edhe te ky vëllim ato sugjerojnë shenjtërinë e ndjenjës që i jep kuptim jetës. Rebecca Makkai është një romanciere amerikane dhe shkrimtare e tregimeve të shkurtra, thotë:
“Të shkruash një tregim të shkurtër është si të pikturosh një pikturë në kokën e një gjilpëre. Dhe thjesht të bësh gjithçka në përshtatje, ndonjëherë duket e pamundur. Të shkruarit e një romani, megjithatë, ka sfidat e veta të shtrirjes. Dhe unë e mendoj këtë si të pikturosh një mural, ku sfida qëndron në faktin që, nëse je mjaftueshëm afër për të punuar në të, je shumë afër për të parë të tërën.”
Muralet (pamjet e së bukurës, imazhet e përshtypjeve të thella, shëmbëlltyrat e përsiatjeve përkushtuese) janë edhe kujtesë, janë pamje-imazhe të ngulitura pashlyeshëm në shpirt.
Është ai dekorimi i brendshëm i sekreteve (Jill Scott, poete amerikane), që e marrin dhe e bartin kudo me vete atë atdhe të shpirtëzuar.
Kund e kund përsiatjet për artin e krijimit pleksen me atë të ndjesisë së dashurisë, siç është “murali” 61:
E dua të palexuarën
që ende s’është shkruar
ritmin e hapave të saj
që kaq shumë janë vonuar
dhe atë jetë që më iku
pa e shijuar e dua
e dashmja s’më takon sall mua
(1 korrik 2013)
Sado që poeti përpiqet të jetë sa më racional te shprehja e tij poetike, megjithatë gjuha e ratio-s e ka të pamundshme t’i gjejë fjalët, mu ashtu si është edhe vetë lirika e dashurisë, e cila është shprehje e botës së brendshme, shpirtërore.
Poeti, prandaj, parapëlqen të palexuarën, kundruall frymëzimit të përvojave a ndjesive. Dhe poeti, nëpërmes varjesh, lëviz prej një situate përjetimi e përsiatjeje në tjetrën.
4. Kodi i Mjeshtrit të Madh
Kur e ka strukturuar kësisoj këtë vëllim, si një tërësi poetike, autori padyshim edhe ua lë vendin ballor dy kryemotiveve të tij, përditshmërisë dhe dashurisë. Por aty e kanë vendin e nderit edhe motivet e temat e qenies sonë etnike, ato të lirisë apo ato të përsiatjeve mbi muzën, krijimin poetik, mbi kuptimin e ekzistencës dhe jetës, etj. etj.
Poeti e ngre zërin e tij të qortimit shumëfish; të shumta i kemi plagët nga e kaluara gjithë plagë e dhimbje; por ato i rëndon ky realitet me imazhe e mesazhe që duan të shpërthejnë nga një hapësirë e ritualit të rëndë psiko-social e psiko-ekzistencial. Në dy-tri këso fragmentesh poetike ligjërohet edhe për Mjeshtrin e Madh.
Mjeshtrin e Madh e harruam në mëngjes
(…)
nëpër gjethe të shqyera
fytyra e Tij u shfaq krejt e purpurt
sa për ta rikthyer në mbrëmje
paqen e përkohshme mes qiellit e tokës
Harresa është vetëdënim, kurse Mjeshtri është sinonim i vlerave sublime, që kapërcejnë hapësira e zakonshme; ato shtrihen “mes qiellit e tokës” (qiellit si personifikim i hyjnores e tokës si personifikim i telasheve shqetësimeve të pafund…).
Kodi i Mjeshtrit të madh i ka sekretet e veta në artin e historibërjes, kohëbërjes, paqebërjes. Ky ideal arketipor diku tjetër personifikohet si majëmale, si lartësi idealesh e vlerash. “Majëmalet janë frone të vetmisë/kot i lakmoni”. Dhe ky arketip i moçëm qenka vetëm një iluzion: “dhe perënditë i braktisën”. Braktisja është masive.
Te poezia e njëqindtë arrihet identifikimi i plotë mes përkushtimit poetik, lexuesit dhe aktit të krijimit. Teksti poetik thur një poetikë të thuknisë. Thur një thukni poetike. Vargjet vijnë të pastruara nga gjithçka e tepërt. Është prirja e poetit që i vendos fijet e komunikimit me lexuesin, në dashurinë e ndërsjellë (“O leximtar i moçëm e i ri/ murose dashurinë tënde tek unë/siç murosa zemrën time tek ti”).
Poeti e ka Rozafatin e tij të murosjeve të dashurisë, së thelli e përgjithmonshëm.
Murosjet e tij të shpirtit janë të paprekshme e të pafund.
(Dhjetor 2013, tetor 2022)
