Studentët shqiptarë protestojnë sot në Shkup, Osmani: Po përgatitet skenar për zhbërjen e gjuhës shqipe
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë sot në Shkup për të drejtën e provimit në gjuhën shqipe, shkruan tetovasot.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Besar Sejdiu, ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë qytetare ndaj një proteste paqësore që do të mbahet të hënën në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 12:30, nga Ura e Gurit.
Studentët kërkojnë realizimin e së drejtës për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë që, siç theksohet, është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj, por që ende nuk po zbatohet në praktikë.
Sejdiu ka deklaruar se mungesa e zbatimit të kësaj të drejte prej vitesh po krijon pengesa serioze për studentët shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e tyre akademik dhe profesional.
Ai e ka cilësuar këtë çështje si më shumë sesa një problem individual apo politik, duke theksuar se bëhet fjalë për një kauzë të rëndësishme që lidhet me barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore.
Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe gjithë akterëve shoqërorë që të mbështesin protestën dhe të marrin pjesë në të.
Ndërkaq, nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ka akuzuar VMRO-DPMNE për një strategji të qëllimshme për dobësimin e gjuhës shqipe në aspektin institucional.
Ai ka bërë thirrje për mobilizim për proestën e sotme që mbahet nga studentët.
Sipas Osmanit, deputetët e VMRO-DPMNE-së në Parlament në të kaluarën kanë tentuar fizikisht të pengojnë miratimin e ligjit për gjuhën, ndërsa ish-presidenti Gjorge Ivanov kishte refuzuar ta nënshkruajë atë, duke detyruar rikthimin e ligjit për rivotim.
Ai rikujtoi se kjo parti e kishte kontestuar ligjin edhe në Gjykatën Kushtetuese gjatë kohës që ishte në opozitë, ndërsa pas ardhjes në pushtet, sipas tij, ka ndikuar në këtë institucion për ta mbyllur çështjen.
“Bëhet fjalë për një politikë të planifikuar dhe të paramenduar mirë”, thekson Osmani, duke shtuar se në këtë proces, sipas tij, janë përfshirë edhe disa aktorë politikë shqiptarë.
Në fund, ai bën thirrje për unitet dhe mobilizim, duke theksuar se çështja e gjuhës tejkalon ndarjet partiake dhe kërkon përfshirjen e të gjithë qytetarëve.
Osmani u bën thirrje qytetarëve që t’u bashkohen studentëve në reagimet e tyre, duke e cilësuar këtë si “detyrim kombëtar, njerëzor dhe evropian”.

