Studentja dyshohet se e ngacmoi profesorin dhe i kërkoi lidhje dashurie
Gjykata Themelore në Prizren, Dega në Suharekë ka vendosur t’i caktojë mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, të akuzuarës, A.A., e cila dyhsohet se ka ngacmuar profesorin e saj, B.B., duke i shkuar edhe në shtëpi e duke i kërkuar lidhje dashurie.
Këtë aktvendim gjyqtari Lavdim Bajraktari e ka marrë pas propozimit të prokurorit Fatos Ajvazi, i cili ka thënë se është në interes të drejtësisë t’i caktohet një mbrojtës të akuzuarës, marrë parasysh gjendjen e saj emocionale, ekonomike dhe intelektuale.
Në seancë kanë qenë prezent e pandehura A.A, prokurori Fatos Ajvazi, i dëmtuari B.B. dhe mbrojtësi i tij avokati Ruzhdi Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e pandehura A.A., nga dhjetori i vitit 2018 e në vazhdimësi deri më 5 gusht 2020, në vende të ndryshme ka ngacmuar ish-profesorin e saj.
Madje, në aktakuzë, thuhet se e pandehura i ka shkuar edhe në shtëpi të dëmtuarit, duke i kërkuar lidhje dashurie.
Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura e ka ndaluar edhe në rrugë të dëmtuarin, duke tentuar ta përqafojë, përkundër kundërshtimit të tij.
Me këto veprime e pandehura A.A, të dëmtuarit B.B, i shkakton shqetësim të madh emocional.
Andaj, me këto veprime, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “ngacmimi” nga neni 182 paragrafi 1 i Kodit Penal, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

