Sulmi ndaj Policisë në Bërnjak, arrestohet një 20-vjeçare

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë te Policia në Bërnjak, ku janë sulmuar zyrtarët policorë të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë nga një 20-vjeçare, e cila është futur në sherr me Policinë.

Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije se e dyshuara S.P., ka shkuar deri te stacioni policor për të marrë informacione lidhur me një anëtarë të familjes së saj që ishte arrestuar.

Biseda me të nuk shkoi siç duhet, pasi e njëjta dyshohet se ka pasur veprime agresive, duke eskaluar deri në sulm ndaj policëve.

Për ta vënë situatën nën kontroll, Policia u detyrua që të marrë masa, duke e arrestuar të dyshuarën, e cila më pas është intervistuar dhe ndaj saj kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare”.