Sulmohet me armë zjarri njësia policore në Liqenin e Ujmanit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok është sulmuar me armë zjarri ndërsa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit.

“Sot, më 06.08.2022 rreth orës 11:25, njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, derisa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit është sulmuar me armë zjarri”, thuhet në njoftim, raporton Ora News.

Njësia policore ka njoftuar se të shtënat me armë kanë goditur afër barkës së policisë.

“Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë”.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.