Sulmohet një autobus me nxënës në Gllogjan, dyshohet për tre të vrarë
Në fshatin Gllogjan të Deçanit ka pasur sonte të shtëna me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës, ku dyshohet të kenë mbetur të vrarë tre persona.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi ka konfirmuar për Express se ka të shtëna me armë zjarri ndaj një autobusi me nxënës.
“Dyshohet se ka te shtena me arme zjarri ne drejtim te nje autobusi me nxenes, prokurorja kujdestare eshte nisur ne drejtim te vendit te ngjarjes”.
Dyshohet për tri viktima: shoferi, një vajzë dhe një djalë 17 vjeç.
Spitali i Pejës ka konfirmuar se nga të shtënat me armë zjarri në Gllogjan kanë mbetur të vdekur dy persona, kurse një tjetër person i moshës së re është i plagosur.
Skender Dreshaj, drejtor i spitalit tha se se dy persona janë dërguar në spital pa shenja jete.
“Një tjetër i moshës së re është i plagosur nga armët e zjarrit por në gjendje stabile”, tha Dreshaj.

