Sulmuesi i gazetarit lajmërohet në polici
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Express se i dyshuari për sulm ndaj gazetarit Valon Syla është lajmëruar vetë në polici.
Policia thotë se në bashkë me prokurorin kompetent po merren me rastin.
“Ju njoftojmë se në polici është lajmëruar një person i dyshuar. Policia është duke u marrë me kompletim e rastit. Në koordinim me prokurorin kompetent do të vazhdohet trajtimi i rastit”, ka thënë policia e Kosovës.
Gazetari Valon Syla u sulmua sot fizikisht në lagjen “Pejton” të Prishtinës.
Ky sulm fizik ndaj gazetarit Syla vjen pas shkrimeve të tij lidhur me fluksin e madh të mërgatës që kanë ardhur në Kosovë gjatë këtyre ditëve.
Sulmin e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shumë figura të njohura publike.

