Sulmuesi i Ibrahim Tatlises u dënua me 30 vjet burgim
Abdullah Uçmak, i cili plagosi Ibrahim Tatlises me armë në 2011, u dënua me 30 vjet burg për ‘vrasje në tentativë me paramendim’. Vendimi u mor sot në Gjykatën turke.
Këngëtari i famshëm turk, Ibrahim Tatlises, ishte plagosur rëndë gjatë një sulmi në Stamboll.
Tatlises u qëllua në kokë nga një person i paidentifikuar.
Asokohe 58-vjeçari kishte vizituar zyrat e kanalit privat televiziv turk Beyaz TV bashkë me zëdhënësin e tij.
Tatlises dhe zëdhënësi u çuan në spital ku iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Këngëtari i njohur si ‘Perandor’ dhe një prej artistëve më të mëdhenj në Turqi, u largua nga kanali televiziv pas mesnate dhe ishte duke hipur në makinë kur ndodhi sulmi.
Sipas njoftimeve në media, persona të armatosur me Kalashnikov u panë të largohen me makinë.
Ibrahim Tatlises, që është me origjine kurde dhe nga qyteti Sanliurfa, ka rregjistruar më shumë se 30 albume dhe ka luajtur në një numër filmash.
Ai ka drejtuar edhe një program televiziv.
Prej dy muajsh, Tatlises e ka rinisur pas 9 vitesh programin e tij ‘Ibo show’, por duket qartë se ai ka vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve të majta nga sulmi me armë dhe nuk ka arritur ta rimarrë veten as pas një trajtimi të gjatë e të vazhdueshëm mjekësor.

