Sulmuesi i shkrimtarit Salman Rushdie, merr 25 vjet burgim për përpjekje për vrasje
Një gjykatë në New York ka dënuar me 25 vjet burgim 27-vjeçarin Hadi Matar, i cili sulmoi shkrimtarin Salman Rushdie me thikë në vitin 2022, duke e lënë atë të verbër në njërin sy.
Rushdie, i cili ishte dëshmitar kyç në procesin gjyqësor, nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së dënimit. Ai kishte deklaruar se gjatë sulmit mendoi se do të vdiste, pasi Matar e goditi më shumë se dhjetë herë në kokë dhe trup.
Sulmi ndodhi gjatë një ligjërate të Rushdie-t në Institutin Chautauqua, New York. Para shpalljes së dënimit, Matar e quajti shkrimtarin “hipokrit”.
Prokurori i qarkut, Jason Schmidt, tha se Matar kishte planifikuar sulmin për të shkaktuar sa më shumë dëm, jo vetëm ndaj Rushdies, por edhe ndaj audiencës prej rreth 1,400 personash që ishin dëshmitarë të ngjarjes.

