“Sunny Hill” çon peshë të gjithë/ Haziri thotë se duhet mbajtur në vendlindje: Përparim na prij, krejtve mbrapa na ki
Nenkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas vendimit të organizatorëve për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë. Sipas tij, është mëkat të lejohet ikja e festivalit nga kryeqyteti kosovar.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë se është detyrë e Komunës për ta mbrojtur festivalin dhe domosdoshmërisht të mbahet në vendlindje.
Për këtë ai ia ka bërë me dije kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, se i ka mbrapa të gjithë për dhënien e tokës në shfrytëzim për festivalin.
“Është e drejtë e Komunës me e dhënë tokën në shfrytëzim për një Festival qysh është Sunny Hill. Po ashtu, është e drejtë e Komunës dhe detyrë me e mbrojtë Sunny Hillin, me e mbajtë në vendlindje. Hajde Përparim, na prij, krejtve na ki mbrapa kësaj pune. Besoj edhe krejt elitën kulturore të Prishtinës”, ka shkruar Haziri në Facebook.
E në të njëjtin postim, një nga komentuesit i ka propozuar ish-nënkryetarit të LDK-së që festivali të organizohet te liqeni i Përlepnicës në veri-lindje të qytetit të Gjilanit. Këtë propozim, Haziri e ka mirëpritur duke thënë se është PRO.
“Po, vend i bukur e i mundshem, pse jo? Jam pro”, thuhet në replikën e Hazirit ndaj komentuesit.

Ndryshe festivali prestigjioz, Sunny Hill nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë, për shkak se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i ka kthyer përgjigje definitive organizatorëve dhe është vonuar në të gjitha afatet ligjore.
Për shkak të vonesave në përgjigje për një vendim përfundimtar për dhënien e tokës në shfrytëzim, themeluesi Dukagjin Lipa, i ka njoftuar krerët e shtetit për vendimin e tërheqjes së festivalit nga Prishtina.
Ndërkohë, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e udhëhequr nga Elbert Krasniqi, kanë thënë se ka pasur mungesë të dokumenteve esenciale në aplikacion.

