Superliga: Ballkani-Drita, derbi i javës

Derbi i kësaj jave në Superligë do të zhvillohet ditën e sotme në Suharekë, ndërmjet liderit aktual, Ballkani dhe Dritës nga Gjilani që po e ndjek hap pas hapi.

Duke marrë parasysh se të dy skuadrat po luftojnë për titullin e kampionit, ndeshja e sotme pritet të jetë mjaft interesante.

Ballkani prin në tabelë me 59 pikë dhe hyn në këtë ndeshje pas dy fitoreve rresht, ashtu si edhe Drita që ka dy pikë më pak dhe është në pozitën e dytë.

Përballje interesante pritet të jetë edhe ajo mes Gjilanit dhe Feronikelit ’74, skuadra që synojnë t’i ikin pozitës së barazhit dhe ta sigurojnë automatikisht mbijetesën në elitë.

Ndeshja tjetër zhvillohet mes Lirisë dhe Dukagjinit.

Prizrenasit thuajse janë përshëndetur nga Superliga, duke u renditur të fundit në tabelë me vetëm 10 pikë të grumbulluara, derisa Dukagjini synon t’i kthehet fitores pas tri barazimeve rresht.

Skuadra nga Klina ka 37 pikë dhe renditet e gjashta në tabelë.

Të gjitha ndeshjet nisin në ora 15:00.