Supremja thotë se brenda pesë ditësh do të vendosë për ankesën e PDK-së për garën në Mitrovicë
Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Latifi, tha për Telegrafin se ankesa është pranuar sot dhe se brenda një afati prej pesë ditësh pritet të merret vendimi për këtë çështje.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës – PDK, e ushtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, është pranuar sot (18.11.2025) në Gjykatë Supreme, përmes postës. Për këtë çështje do të vendoset brenda afatit ligjor, prej pesë ditësh”, ka thënë ajo.
Ndryshe, PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.
Gara për Mitrovicën, Supremja thotë se brenda pesë ditësh do të vendosë për ankesën e PDK-së
Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.
PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.
Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.
“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e votave.

