Suspendohen 9 policë dhe arrestohen 6 të tjerë pas vrasjes së policit në Zllatar

15 policë janë suspenduar lidhur me rastin e vrasjes së policit Lirim Haxholli në Zllatar të Prishtinës.

Inspektorati Policor i Kosovës me anë të një komunikate për media ka bërë se në ndejën ku ka ndodhur rasti tragjik, kanë qenë prezent edhe 15 policë tjerë, shkruan lajmi.net.

Një nga këta 15 policë është arrestuar për vrasje, pesë janë arrestuar për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe që të gjithë ata që ishin pjesëmarrës janë suspenduar.

“Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty”, bëhet e ditur në komunikatën e IPK-së.

Njoftimi i plotë i IPK-së:

Sot pas mesnatës Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një informacion përmes “Linjës së kaltër” nga Policia e Kosovës se ka ndodhur një incident me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar të Prishtinës ku ishte plagosur një person.

Hetuesit e IPK-së menjëherë i janë përgjigjur thirrjes kurse në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet përkatëse policore si dhe prokurori kujdestar.

Personi i plagosur në këtë rast (zyrtar policor) ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve.