Suspendohet nga puna zyrtarja policore që u vetëplagos në Prizren

Është pezulluar nga puna zyrtarja policore që u vetëplagos në Prizren dhe ndaj saj është iniciuar procedurë penale.

Sinjali mëson ekskluzivisht se zyrtarja policore Elsa Çololar është suspenduar nga detyra me vendim të Policisë së Kosovës, në pritje të përfundimit të procedurave hetimore dhe disiplinore.

Ndaj saj është iniciuar edhe procedurë penale për “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të punës, brenda shtëpisë së saj, derisa ajo ishte duke manipuluar me armën e shërbimit – Glock.

Siç u raportua më herët, arma është shkrepur aksidentalisht dhe zyrtarja është plagosur në këmbë.

Ajo ndodhet ende në spital nën përkujdesje mjekësore, por fatmirësisht gjendja e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.