Sveçla: Shumica e grave që janë vrarë nga burrat, paraprakisht i kishin lajmëruar rastet
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për medie, ka kërkuar që të zbardhet rasti i vrasjes së Marigona Osmanit nga Ferizaj.
Sveçla tha se nuk do të ketë më persona që do të ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë.
“Kam kërkuar angazhim maksimal për zbardhjen e rastit. Ndërsa dje bashkë me drejtorin e Policisë kam kërkuar detaje për secilën vepër të të dyshuarve. Falënderojë qytetarët për ndihmën dhe përgëzojnë Policinë për punën. Përgjatë këtyre muajve”.
“Persona të tillë kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësinë në të gjitha komunat, kjo do të marrë fund, njerëz që u kanë duartrokitur atyre nuk do të ketë më, nuk do të ketë ndërhyrje nga lartë. Kam kërkuar raport për secilin rast në dhunë në familje që ka në punë secili zyrtar i Policisë, do të ketë ndëshkime për mospunë”.
Ai foli edhe për rastin tragjik që ka ndodhur në Ferizaj, ku ka mbetur e vdekur një 18-vjecare e për rastin janë arrestuar dy persona.
Sveçla ka thënë se shumica e grave që janë vrarë nga burrat, paraprakisht i kishin lajmëruar të njejtët për sulm.
“Shumica e grave janë vrarë nga burrat edhe pse i kishin lajmëruar këto raste. Kishin dosje voluminoze penale, me plot 163 vepra që dominojnë ato të vjedhjeve, lëndim, zhvatje, kërcnëim, dhunim dhe rasti i fundit vrasje e rëndë. Sapo jam njoftuar për rastin e ndodhur kam kërkuar veprime të menjëhershme derisa, dje para ceremonisë së varrimit kam kërkuar raport të detajuar për ecurinë e secilës vepër të të dyshuarve”.
I pari i Punëve të Brendshme në Kosovë shtoi se brenda policisë është krijuar një grup që do të hetojë të kaluarën e personave të përfshirë në rast, ndërkaq, shton se nga Inspektorati i Policisë së Kosovës ka kërkuar që të hetohen rastet e dhunës në familje.

