Synimet e hegjemonisë serbe në rajon
Shkruan: Nijazi Idrizi
Ballkani si tamponzonë natyrale në mes të Lindjes dhe Perëndimit, ka pësuar përplasje të egra të interesave me luftëra të gjata për dominim.
Për shkak të pozitës gjeografike të udhëkryqit dhe barrierave të depërtimit, trojet e populluara me shumicë shqiptar kanë qenë arenë luftërash të përgjakshme.
Pasojat janë të dukshme edhe sot në vështirësitë e paqës, konsolidimit dhe zhvillimit.
Në kohën e rilindjes, ballkanasit u vonuan ti formonin shtetet kombëtare. Ato i sajuan Kancelarit evropiane me arbitraritet.
Pakënaqësitë e pakicave të mbetura jashtë shteteve amë nuk u morën parasysh në konferencat e mëdha: as në Shën Stefan e Berlin, as në Paris, Londrër, Jaltë, Dejton e Rambuje. Ato u mbyllën me kompromise të përçudnuara, “për tu trajtuar në kohë më të mirë”.
Arsye e përhershme ishte rreziku nga hegjemonia Ruse e cila në emër të kujdesit për popullësinë sllave aty, për gati tre shekuj e kërkoi rolin e kujdestarit.
Vasalët e Rusisë, principatat serbe, bullgare, malazeze e shpesh edhe greke u angazhuan për zhdukjen dhe asimilimin e pakicave në shtetet xhuxhe të tyre.
Jugosllavia e vjetër nuk u morr fare me to. Jugosllavia komuniste në emër të bashkim-vëllazërimit, ato i shpërndau në 6 republika, ku më së keqi pësuan shqiptarët e mbetur pa republikën e tyre (të ndarë në pesë republika).
Ndërkaq serbët, (me dy krahina brenda republikës së tyre), ishin të kënaqur me shtrirjen e tyre në katër republika ku e dominonin vendimmarrjen sidomos në fushat e sigurisë.
Në vitet ’90 erërat demokratike dhe pakënaqësitë e brendshme e bënë gërmadhë Jugosllavinë.
Perëndimi u detyrua ta pranojë zhbërjen e saj dhe themelimin e shteteve të reja, me kusht që ato të mos bëhen shtete etnike dhe të mos ketë ndryshim të kufijve pa pëlqimin e pakicave.
Këto parime serbët i lanë të pakënaqur dhe i mobilizuan për ti thyer. Përpjekjet e tyre të armatosura për aneksimin e territoreve në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, dështuan.
Hartës botërore iu shtuan shtete të reja. Me pak vonesë edhe Kosova, statutin e Autonomisë Speciale Federative e ndihmoi me kryengritje dhe e arriti Pavarësinë.
8Rusia, e kapur nga Lufta e Ftoftë të cilën po e humbiste, nuk arriti ta ndaloj zhbërjen e saj.
Se Rusia, prezencën e vet në Ballkan e ka mision të përjetshëm u pa edhe së voni: në demonstrimin e tankeve ruse në vitin 1999 në Kosovë, nga përçmimi i marrëveshjes së Dejtonit (bashkë me serbët) në Bosnjë, në operacionin e Kumanovës në Maqedoni, atentatin ndaj Presidentit Gjukanoviç, rebelimin e kishës serbe dhe sponzorimin e zgjedhjeve lokale, presidenciale e kombetare në Mal të Zi, në defilimin e avionëve nga ambasadori rus në kufirin e Kosovës dhe rrebelimin e serbëve lokal në veri nga banda e njësisë ruso-serbe Wagner, ndërhyrja e vazhdueshme në demokratizimin e Shqipërisë dhe angazhimi për investime përmes sekserëve në turizëm, ullishte etj.
Këto akte e kishin vetëm një qëllim: daljen në Mesdhe, ku i hapej rruga për pushtime të reja në botë.
Ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha për menaxhimin e krizave ishin kompromise me mesazhin se në Ballkan nuk do të ketë shtete të fuqishme, por aty duhet të vlej parimi i vjetër i “ekuilibrimit të forcës”.
Pas ndarjes, këto pakënaqësi e bartën konfliktin nga Jugosllavia në Ballkan.
Serbia, (me ndihmën e Rusisë) i filloi projektet për ngritjen e organizimeve paralele autonome “në botën serbe“, brenda shteteve të pavarura në Kroaci, Bosnjë, Mal të Zi, Kosovë, për ta legjitimuar të drejtën për të vendosur dhe të drejtën e vetos, për pakicën serbe.
Me pak fjalë, ajo do që një pjesë të sovranitetit të këtyre shteteve ta bartë te pakicat serbe, për ti federalizuar ato sipas modelit të Bosnjës, por me emra të butë.
Në Kroaci, përmes decentralizimit, në vetqeverisjen lokale do që ti kontrabandojë disa komponenta të sovranitetit; Në Mal të Zi, pas marrjes së pushtetit lokal dhe ndarjes së pushtetit qendror, po synon ta shndërroj këtë shtet në “Spart serbe”; Ndërsa në Kosovë, përmes Asociacionit (tashmë të firmosur disa herë).
Në këto shtete është duke u mbyllur çarku i lojës së shulevekut të dogerxhikut.
Në këtë “valle” ajo po i joshë edhe shtetet tjera me probleme të tilla, të cilave do që t’ua lë shaminë në dorë, e vet e fundit në varg, me dorën e lirë të bëjë dirigjentin dhe kur të krijohen rrethanat e favorshme, ta ndezë vallen, e me krijesat e veta, ta bëjë akt të kryer Serbinë e madhe.
Për ta arritur këtë qëllim, Serbia e ka shumë të rëndësishme që në këtë projekt (sikur në atë të ndarjes etnike të veriut të Kosovës), ti nxisë shqiptarët të veprojnë të parët, sepse një “Shqipëri e madhe“, sipas saj, me pak investim do të shndërrohet në zonë konfliktesh “alla Haxhi Qamilqe”, të braktisur dhe pa ndikim.
Në anën tjeter, Serbia beson se pas dështimit të Rusisë, ajo do të bëhet fuqia e padiskutueshme rajonale dhe “kujdestare e paqes” si mision.
Për ta arritur këtë ajo i ka vu vetes qëllim ti arrijë disa objektiva: Ti forcoj dhe vëllazëroj raportet me Rusinë dhe Kinën dhe në të njëjten kohë ti pranoj integrimet Euroatlantike. Ta ruaj, zgjeroj dhe modernizoj pozicionin qendror gjeografik të udhëkryqit të Ballkanit dhe dy kontinenteve dhe deteve; Ta realizoj ëndrrën shekullore të daljes në Adriatik, të cilën pas dështimit në Shqipëri (1912), po beson se tashmë e ka arritur në Mal të Zi; Ta rris sipërfaqen e territorit për rreth 60%, (Bosnjë, Mal të Zi, Kosovë, dhe Kroaci në një momentum të ri) dhe të popullsisë (për rreth 20%). Të bëhet fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake në rajon.
Tashmë po duket qartë se për shkak të këtyre pretendimeve, gjendja në Ballkan është e paqëndrueshme dhe ajo nuk mund të stabilizohet pa një riorganizimi të ri dhe pa politika të reja, me një program me projekte të mëdha.
Ndër projektet e domosdoshme janë: Ndërprerja e federalizimit të dhunshëm të shteteve të brishta të rajonit dhe ofrimi i zgjidhjeve që bazohen në dokumentet ndërkombëtare; Ndërtimi i shpejtë i Korridorit të tetë dhe i portit të thellë të Vlorës; Kufizimi i investimeve në Serbi, deri në demokratizimin e saj etj.
Duhet të theksohet fakti se lufta në Ukrainë e ka dëshmuar se as në Ballkan e as në Botë, nuk duhet të lejohet diktati i shteteve jodemokratike, sado të fuqishme të jenë ato. Këtë pas Rusisë, tashmë po e synon edhe Serbia në Ballkan.
Çdo vonesë në ndërhyrje, do të ketë për pasojë shpërthime me pasoja afatgjata.
Përpjekjet për ta relativizuar atë duke bërë me gisht nga Kosova, nuk kanë asnjë kuptim.

