Tahir Ibrahimi, shqiptari që shpalosi për herë të parë flamurin e Kosovës në majën Damavand në Iran
Tahir Ibrahimi nga Gjilani e ka pasion ngjitjen e majave të larta në botë. Dje u kthya nga Irani, pasi ngiti majën Damavand, ku në një lartësi mbi 5.600 metra shpalosi flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë, shkruan Mediafokus.info
Më herët, Ibrahimi ka vizituar edhe majat Kilimanjaro (Tanzani) dhe Ararat (Turqi).
Dëshira e tij ishte që majën Damavand ta ngjiste më 15 qershor, për nder të ditës së çlirimit të Gjilanit, por Komuna u vonua në përgjigjen e saj dhe Tahiri u desh t`i hyjë sfidës me vetëfinancim.
Udhëtimi u realizua nga Prishtina, nëpërmjet Turqisë, deri në Iran.
‘Pas marrjes së lejes për ngjitje në malin Damavand, nga Federata alpiniste e Iranit dhe më tutje, në shtëpinë e turistëve (Guest house) pajisjes me përgatitjet e nevojshme (rroba për udhëtim, ushqim dhe të tjera), filloi sfida e ngjitjes drejt lartësisë mbi 5600 metra’, thotë Ibrahimi.
Ditën e parë, kalohet rruga deri në kampin e parë, në një lartësi 3000 metra, ditën e dytë, deri në kampin e dytë, arrihet lartësia 4200 metra, për të vazhduar kështu për dy ditë të tjera, deri te maja Davamand.
‘Ngjitjet në lartësi, pos rreziqeve tjera, të sfidojnë edhe me mungesë oksigjeni’, thotë Ibrahimi.
Ai ndihet i lumtur që arriti të ngjitet në majën ku deri tani nuk ka shkelur asnjë kosovar tjetër dhe atje ta shpalosë flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Meraku i i tij ishte që këtë ta bënte më 15 qershor, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç i planifikon.
‘Këtë udhëtim e kisha planifikuar para dy vitesh, por shkaku i pandemisë nuk munda ta realizoj më herët’, thotë Tahir Ibrahimi.
Mali Davamand në Iran, me lartësi 5610 metra, është njëri nga shtatë malet vullkanike të masivit Mondo, si dhe vullkani i dytë më i lartë në Azi. Është një vend që ka shumë kuptime në mitologjinë persiane.
Pa dyshim se arritja në maja kaq të larta, duke përballuar sfida e mposhtur rreziqe, gjithsesi se i bënë nder edhe shtetit të Kosovës, sepse jo të gjithë mund të arrijnë në pika kaq të larta e ta shpalosin flamurin e tyre, siç e bënë gjithmonë me krenari Ibrahimi./Mediafokus.info


