Tahir (Sejfiu) Zhegoci – Zëri i urtësisë, besës dhe qëndresës shqiptare
Sabedin Sherifi
Tahir Sejfiu u lind në vitin 1880 në fshatin Zhegoc, në zemër të Anamoravës, ku edhe e kaloi gjithë jetën dhe mbylli sytë në vitin 1957.
I njohur për urtësinë, burrërinë dhe besën, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë lokale e kombëtare, si një figurë që nuk u përkul asnjëherë para padrejtësisë.
Një burrë i urtë, i besës dhe zë i palëkundur i çështjes shqiptare, veprimi i tij kapërceu kufijtë lokalë, duke u bërë pjesë e qëndresës kombëtare.
Ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Prizrenit (8–10 korrik 1945), ku, bashkë me Ramiz Cernicën, kundërshtuan ashpër bashkimin e Kosovës me Serbinë.
Ky qëndrim i guximshëm u ndëshkua rëndë: Ramizi u burgos, ndërsa Tahiri u fshi nga dokumentet dhe arkivat zyrtare – një përpjekje e regjimit komunist për të heshtur zërat e vërtetë shqiptarë.
Përveç qëndrimit ndaj pushtetit serb, Tahir Zhegoci njihet edhe për kontributin e tij kundër shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi.
Ai ishte zë i arsyes dhe qëndresës, që punoi për të ndalur një prej tragjedive më të mëdha demografike që u përgatit nga regjimi jugosllav në bashkëpunim me autoritetet turke në vitet 1950.
Në kohë trazirash dhe ndarjesh të mëdha politike, Tahiri qëndroi gjithmonë në anën e së vërtetës dhe të atdheut.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai e kuptoi qartë rrezikun që vinte nga bashkëpunimi me pushtetin komunist dhe sidomos nga prapaskenat serbo-komuniste.
Ishte një burrë që e njihte historinë dhe që besonte në përvojën e vet – se tradhtia nga Beogradi nuk kishte pushuar kurrë dhe nuk do të pushonte.
Në një takim në odën e tij në Zhegoc, Tahiri i drejtohet Fadil Hoxhës me fjalë të forta dhe të sinqerta: “Serbët na kanë tradhtuar gjithmonë dhe do të na tradhtojnë prapë”.
Por Tahiri nuk e dinte se shoqëruesi i Fadilit ishte një serb. Fadili, me buzëqeshje, iu përgjigj: “Hajt bac, rri pa merak, se serbët i kemi vëllezër dhe po luftojmë për çlirim dhe për vëllazërim-bashkim.” (serbi që ishte me veshje shqipare e që fliste shqip ishte një Sergjani nga Gushterica-Lipjan)
Ky moment historik u përmend më vonë edhe nga vetë Fadili në kujtimet e tij “Kur pranvera vonohet“, duke treguar për figurën e plakut të urtë të Zhegocit që fliste me zemër e me ndershmëri, por që nuk i përshtatej logjikës së aleancave politike të kohës.
Oda e Tahir Sejfiut nuk ishte vetëm një vend ku pihej kafe e këndohej me çifteli, por një strehë për atdhetarët, një qendër e mendimit të lirë dhe e vendimeve të burrave të kombit.
Ajo ishte një vatër shqiptare ku mikpriteshin luftëtarët për liri, ku vendosej me fjalë e besë për çështje të mëdha.
Tahir Sejfiu jetoi me nder dhe vdiq me respektin e gjithë fshatit dhe malësisë.
Trashëgimia e tij është nder për Zhegocin dhe për gjithë ata që nuk e harrojnë sakrificën, fjalën e burrit dhe guximin për të thënë të vërtetën në kohë të vështira. /Mediafokus

