Të gjitha gratë që punësohen nga korriku e tutje do të marrin nga shteti deri në 170 euro
Nga ky muaj, të gjitha gratë që punësohen do të paguhen deri në 170 euro për tre muajt e ardhshëm nga buxheti i Kosovës.
Kështu ka njoftuar të enjten ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Sot kam nënshkruar vendimin për operacionalizmin e Masës 1.3 – për Mbështetjen e Grave në Punësim. Me këtë masë parashihet subvencionimi i pagës për 50 për qind (maksimumi 170 euro) për tre muajt e parë, për të gjitha gratë që punësohen nga periudha tatimore korrik/2021 e tutje”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, pas periudhës 3-mujore, këto të punësuara do të subvencionohen sipas Masës 1.2, me 10% të pagës bruto. Kusht është që të punësuarat e reja të mos figurojnë aktive në periudhën tatimore qershor/2021.

