Të gjitha partitë mbesin ende larg përfaqësimit të barabartë gjinor në listat zgjedhore

Merita Limani Salihu

Këto ditë kam pranuar disa kërkesa për të marrë pjese në emisione televizive ku është debatuar rreth përfaqësimit të grave në politikë, në kontest të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare 2025.

Këtu po e ofroj një analizë të shkurtër për këtë temë.

Përfaqësimi gjinor sipas listave të prezantuara nga partitë politike

Nga një analizë e listave zgjedhore të prezantuara nga këto parti politike, shihet që partitë politike ende qëndrojnë në margjina të kuotës gjinore prej 30%, siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet në Kosovë.

Të gjitha partitë shihet që kanë kaluar simbolikisht pragun e kuotës (por ende nën 40% ose 50%).

Dukshëm të gjitha partitë mbesin ende larg përfaqësimit të barabartë për gratë në listat e tyre zgjedhore.

Moszbatim i Ligjit për Barazinë Gjinore

Ligji për barazinë gjinore parashikon përfaqësim të barabartë 50%-50%, por ky ligj vazhdon të mos zbatohet në mënyrë adekuate.

Mosbatimi dhe dualizmi ligjor që ekziston me ligjin për zgjedhjet vazhdojnë të dobësojnë pozitën e grave për përfaqësim të barabart në zgjedhje.

Mosgatishmëria për të adresuar këtë moszbatim dhe dualizëm ligjor, tregon mungesën e vullnetit politik dhe institucional për të avancuar barazinë gjinore.

Përfaqësimi gjinor në lista zgjedhore pa progres

Krahasuar me zgjedhjet në disa vitet e fundit, përfaqësimi i grave në lista zgjedhore mbetet pothuajse i njëjtë.

Përkundër kësaj, rritja e përfaqësimit të grave në institucione ka vazhduar, dhe kjo shihet që është meritë primare e grave që kanë hyrë në garë dhe suksesshëm i kanë siguruar pozitat politike.

Sepse, përfaqësimi i ulët në lista zgjedhore po dëshmon tutje mungesën e gatishmërisë së partive politike në krijimin e mundësive të barabarta për gratë.

Gratë po përjashtohen që në fillim nga gara politike për shkak të nën pëfaqësimit në lista zgjedhore (krahasuar me burrat).

Por, edhe ato që hyjnë në lista zgjedhore janë në disavantazh, sepse ballafaqohen me sfida më të mëdha financiare, si dhe stereotipe gjinore (krahasuar me burrat).

Pabarazia financiare e grave ndërlidhet kryesishtë me pabarazinë gjinore në paga e akumulim të pasurisë, ndërsa stereotipet gjinore vazhdojnë të targetojnë gratë në politikë përmes stigmatizimit dhe gjuhës ofenduese në publik e media.

Kesaj radhe po fokusohem te sfida financiare: në të kaluarën partit politike shume pak i kanë përkrahuar financiarisht fushatat politike të grave, dhe kjo ka sfiduar tutje gratë që të zhvillojnë fushata të fuqishme për të siguruar votat e nevojshme.

Kuota gjinore – ende jetike

Pa kuotën gjinore, shumica e partive kanë treguar tendencë për prezantim të ulët të grave në lista zgjedhore, duke dëshmuar mungesën e vullnetit politik për tejkalimin e kësaj kuote.

Kuota gjinore dhe përkushtimi i zbatimit të saj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (që nuk certifikon listat zgjedhore nëse përfaqësimi eshte nen kuoten minimale prej 30%) po mbesin garanci e vetme dhe e qëndrueshme që grate të përfaqësohen në lista zgjedhore.

Ky postim i imi dua të kuptohet si kritikë për partitë politike dhe si avokimi për fuqizimin e grave në politikë

Pritja nga partit politike është që ato të sigurojnë më shumë përfaqësim të grave në lista zgjedhore, të mbështesin gratë financiarisht për fushatat e tyre, dhe të përkushtohen seriozisht në zbatimin e ligjeve përtej minimumit të kuotës gjinore.

Dhe pasi që tashmë listat janë prezantuar, partit politike të pakten duhet të fokusohen që ti mbështesin financiarisht dhe me logjistike gratë për të zhvilluar fushatat e tyre.

Po ashtu, përkrahja publike nga lidershipi i partive politike për të votuar më shumë gra ka patur sukses në zgjedhjet e kaluara, ku më shumë gra kanë fituar pozitat e tyre në Kuvend me votat e tyre (pa kuotë).

Uroj që dhe në këto zgjedhje gratë të marrin përkrahje të tille nga lidershipet e të gjitha partive politike!

Gratë e Kosovës kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndërtimin e shtetit. Fuqizimi i tyre në përfaqësim të barabart politik është jetik për një shoqëri më të drejtë dhe demokratike!

#PërkrahniGratënëPolitikë
#MëShumëVotaPërGratë

……………..

(Merita Limani është ligjëruese universitare në Western University, Kanada. Ajo ka përfunduar studimet e doktoraturës në Shkenca Politike dhe Sociologji.)