Pusi i Kallakangjës, aty ku ditën pinin ujë burrat e natën laheshin zanat

Dikur banorët e Muçibabës lëshoheshin te pusi i Kallakangjës, për të marrë ujë për shtëpi, për t`u freskuar ditëve me vapë kur punonin në ara aty pranë, kur kullosnin bagëtinë ose kur kositnin livadhet, shkruan Mediafokus.info

Natën nuk e bënin këtë asnjëherë, sepse atje laheshin zanat dhe nuk mund t`i trazonin ato.

Ky burim uji, ekziston edhe sot, por tani atje nuk zbresin më njerëzit, ose shkojnë rrallë dhe me kujdes, sepse ka ngelur pranë kufirit me Serbinë dhe druajnë se në vend të zanave të bukura të malit, mund të takohen me xhandarët serbë dhe të përfundojnë në burgun e Vrajës.

Banorët e këtij fshati, që ka edhe një emër karakteristik, që disa thonë se ndërlidhet me vuajtjet për mbijetesë në një terren të vështirë, kanë pasur gjithmonë problem me ujët e pijes, vijon Mediafokus.info.

Kroje kishte, por të gjithë ishin larg shtëpive. Ata që shkonin për ujë, duhet të bënin dy ose tri pushime deri në shtëpi.

Banorët e fshatit dinë shumë rrëfime për pusin e Kallakangjës (Kangjës).

Për të zbritur atje, pos terrenit të vështirë që duhet kapërcyer, një problem tjetër është distanca e afërt me kufirin serb.

Sipas rrëfimeve të banorëve, kroi, natën ka qenë i zanave, e ditën janë larë njerëzit aty.

Është një burim uji i pakrahasueshëm, prandaj e kanë lakmuar edhe zanat, siç thonë të vjetrit.

Tani, atje kanë ngelur pak banorë. As zanat nuk shihen më te kroi i Kallakangjës

Ndoshta ato edhe janë, por njerëzit shkojnë rrallë, mbase edhe hiq, gjatë natës dhe, nuk ka se kush t`i shohë.

Megjithatë, krojet e ujit dhe rrëfimet për zanat e bukura të pusit të Kallakangjës, vazhdojnë të tregohen edhe sot.

Bashkësia lokale e Myqibabës dikur kishte 95 shtëpi, me afër 700 banorë, ndërkaq sot këtu kanë ngelur pak familje në tri fshatra.

Familje të tëra kanë migruar në Lladovë, Velekincë, Gjilan dhe gjetiu nëpër Kosovë e madje edhe në Kumanovë e Stamboll.

Thuhet se as zanat nuk jetojnë dot pa njerëzit, të cilët i kanë krijuar legjendat për to.

Ndoshta legjenda janë edhe vetë zanat e kroit të Kallakangjës.

Njerëzit betohen se i kanë parë me sytë e tyre dikur. /Mediafokus.info