Teatri prish rehati, ngacmon sisteme e hallakatë shoqëri

Në idetë, çështjet, pyetjet, e debatet e ndryshme që shtron teatri kudo në botë, aty janë në fakt edhe vetë përgjigjet ose qëllimet për t’u përgjigjur në vetëpërmirësimin, mirëqenien dhe rëndësinë e zhvillimit të shoqërisë sonë.

Shkruan: Erson Zymberi

Në zhvillimin dhe edukimin e një shoqërie të shëndoshë e normale padyshim që mediumi më artistik është teatri dhe medeomos që roli i tij në këtë drejtim është i pazëvendësueshëm.

Ky konstatim ka qëndruar historikisht dhe vazhdon të qëndrojë edhe sot, kudo në botë, pavarësisht shkallës së rëndësisë që ai merr nga të tjerët.

Në këtë drejtim, paralelisht me zhvillimin e tij, pra të teatrit, zhvillohet edhe shoqëria jonë dhe kësisoj, në rrugëtimin e tyre, ato ndihmojnë njëra tjetrën në emancipimin reciprok.

Në idetë, çështjet, pyetjet, e debatet e ndryshme që shtron teatri kudo në botë, aty janë në fakt edhe vetë përgjigjet ose qëllimet për t’u përgjigjur në vetëpërmirësimin, mirëqenien dhe rëndësinë e zhvillimit të shoqërisë sonë.

Sot e çdoherë, kudo në botë, teatri përmes debateve shkakton pluhur, prish “rehatinë”, ngacmon e prek sisteme, “hallakatë” brenda një shoqërie, hap mendje, krijon alternativë.

Të gjitha këto, me të vetmin qëllim, atë të riformësimit, zhvillimit e edukimin të një shoqërie.

Siç edhe thotë Augusto Boal, “A është bota sot aq e mirë dhe aq e pastër sa ti të jesh i kënaqur me të dhe të mos kesh nevojë për ta ndryshuar? Natyrisht që jo! 

Kënaqësia më e madhe dhe pjesa më e ndritur për mua ndoshta, është fakti që Teatri i Qytetit të Gjilanit, kohëve të fundit, por edhe më herët dikur, po arrin të kontribuojë, sado e vogël qoftë ajo ndihmë, në këtë proces të zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë sonë.

Krijimi i repertorit të rregullt ose i kalendarit të shfaqjeve, themelimi i Teatrit Magjik të Fëmijëve dhe puna e jashtëzakonshme me fëmijët, rikonfigurimi i marketingut, pjesëmarrja dhe çmimet në festivale të ndryshme të teatrit, pjesëmarrja jonë në Kosovo Theatre Shoëcase, numri i shtuar i premierave, etj., janë vlerë dhe elemente që tregojnë dashurinë tonë të madhe dhe përkushtimin tonë maksimal për të krijuar një medium a hapësirë, në të cilin, spektatori, për disa orë mund të shoh dhe njoh për së afërmi reflektimin e shoqërisë a vetes së tij ndaj çështjeve të caktuara. Kjo është vlera më e madhe. Ky është në një formë edhe misioni ynë.

Në fund të fundit, ashtu siç thotë edhe Boal, “Ne të gjithë jemi aktorë: të jesh qytetar nuk do të thotë të jesh pjesë e një shoqërie por, ta ndryshoh atë”./MediaFokus/

(Autori është drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Opinioni është shkruar enkas për MediaFokus)