Tekniku i burgut të Dubravës kapet me kokainë të ndarë në 31 doza për shitje

Një aksion policor kundër narkotikëve ka çuar në arrestimin e një tekniku medicinal të Qendrës Korrektuese në Dubravë, i cili dyshohet për shpërndarje të kokainës, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 05.04.2026, rreth orës 17:00, në rrugën “2 Korriku” në Istog, ku siç mëson Sinjali, i dyshuari është ndaluar nga policia gjatë zbatimit të planit operativ “Stop Drogave”, teksa po lëvizte me një veturë Audi A6.

Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur 31 qese të vogla me substancë të dyshuar narkotike, të cilat dyshohet se ishin të përgatitura për shpërndarje.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari në këtë rast është Liridon Kuçi, i cili është i punësuar si teknik medicinal në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Pas ndalimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, janë bastisur edhe banesa e tij në Istog, ku është gjetur edhe një sasi tjetër e substancës së njëjtë narkotike.

Gjithashtu janë kontrolluar edhe hapësirat e tij të punës në burgun e Dubravës, por aty nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Sasia totale e narkotikut të sekuestruar ka rezultuar rreth 17.4 gram dhe pas testimit fushor është konfirmuar si kokainë.

Përveç drogës, policia ka sekuestruar edhe një peshore elektronike, një telefon të tipit iPhone 17 Pro, veturën Audi A6 si dhe një shumë parash prej 3,475 euro.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.