Tentativa e 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kosovës të legjislaturës së nëntë për herë të 12-të do të mblidhen sot në ora 10:00 për konstituimin e Kuvendit. Procesi i konstituimit ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, gjersa partitë tjera, PDK, LDK e AAK, nuk po e përkrahin, duke thënë se nuk është person unifikues.
E sot, deputetët do të mblidhen pas dështimit të 11 seancave për konstituim.
Të hënën, kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes së cilës i ka ftuar në koalicion qeverisës.
Pas kësaj letre, të martën është mbledhur kryesia e LDK-së, gjersa kryetari i kësaj partie ka mbajtur edhe një konferencë për media.
Abdixhiku në këtë konferencë ka propozuar një qeveri tranzicionale, duke refuzuar kështu koalicion qeverisës vetëm me LVV.

