Tërnava: Mesazhi i Fitër Bajramit është paqja, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka folur për mesazhin e kësaj feste.
Ai ka bërë me dije Bajrami na mëson se humanizmi nuk është vetëm një ndjenjë, por një detyrim moral.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se mesazhi i Fitër Bajramit është paqja, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor.
“Fitër Bajrami është kurora e këtij rrugëtimi shpirtëror. Ai nuk është vetëm një festë gëzimi, por një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore. Në këtë ditë, zemrat mbushen me paqe, falje dhe dashuri, ndërsa besimtari e ndien më fuqishëm përgjegjësinë e tij si mëkëmbës i Zotit në tokë, për të përhapur të mirën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të moralshme. Në traditën tonë, Fitër Bajrami është festë e bashkimit, e pajtimit dhe e humanizmit. Është dita kur hapen zemrat, kur shtrihen duart e pajtimit dhe kur forcohen lidhjet familjare dhe shoqërore. Sofrat tona mbushen me begati, por mbi të gjitha me dashuri, respekt dhe mirënjohje. Kjo festë na kujton se gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët”, ka thënë ai, duke i ftuar besimtarët të qendrojnë pran njeri-tjetrit.
“Kjo është dita kur duhet të jemi më pranë njëri-tjetrit, më të kujdesshëm ndaj të varfërve, jetimëve, të moshuarve dhe të sëmurëve. Bajrami na mëson se humanizmi nuk është vetëm një ndjenjë, por një detyrim moral dhe shpirtëror, që duhet ta shoqërojë jetën tonë të përditshme. Mesazhi i Fitër Bajramit është paqja, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor. Në një kohë kur bota po përballet me konflikte dhe luftëra që po marrin jetë të pafajshme, kjo festë na fton të lutemi për paqe dhe të angazhohemi për ndërtimin e një bote më të drejtë.

