Thaçi: Kurti-Vitia-Sveçla janë përgjegjës për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga Gjilani

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media, ka thënë se grupi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe u.d. të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla duhet të japin përgjegjësi ligjore për, siç ka thënë ai, shtytjen në vetëvrasje, te studentit nga Gjilani, Agon Musliu, shkruan Mediafokus.info.

“Unë mendoj që grupi i Kurtit, Vitisë e Sveçles duhet të sqarojë çështjen e rrezikut të jetës për zotin Pacolli që i kanosej gjatë fluturimit për në Prishtinë dhe pse ka devijuar Pacolli në drejtim të Tiranës, sikurse ka përgjegjësi morale e politike dhe ligjore të japin grupi Kurti-Vitia-Sveçla për shtytjen në vetëvrasje të studentit nga konviktet në Prishtinë. Ata duhet të përgjigjen sa më shpejtë”, ka deklaruar Thaçi, në konferencën për gazetarë.

Presidenti i vendit tha, po ashtu, se karantinimi në konvikte duhet të bëhet në mënyrë profesionale dhe të mos ketë qasje selektive politike.

25-vjecari nga Gjilani Agon Musliu, më 3 maj, është hedhur nga kati i pestë i konviktit të Qendrës së Studentëve në Prishtinë, duke i dhënë fund jetës.

Kjo ngjarje tragjike ka tronditur Kosovën dhe vazhdon debate nëse është dashur të futet në karantinë i ndjeri, apo jo./Mediafokus.info/