Thellohet skandali: Raportohet se policët plotësuan formularët e mbikëqyrjes së urdhrit mbrojtës pas vrasjes së 35 vjeçares

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë në Lipjan sa i përket rastit të vrasjes së 35-vjeçares Hamide Magashit para dyerve të klinikës së Gjinekologjisë së QKUK-së.

Por detaje të rënda për suspendimin e këtyre zyrtarëve ka hedhur në pah Kallxo.com.

Sipas raportimit të këtij mediumi dy hetuesit policor që IPK rekomandoi suspendimin për ta dyshohet se kishin plotësuar formularë kinse kanë monitoruar dhe vëzhguar urdhrin mbrojtës të Hamide Magashit.

Sipas Kallxo.com, plotësimi i formularit ka ndodhur pasi Hamide Magashi ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

Ndryshe në komunikatën e IPK-së, vërehet se në lidhje me hetimet që janë bërë deri tani, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë” dhe “falsifikim i dokumentin zyrtar”.

“Nga veprimet hetimore deri më tani si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues) . Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK, është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë”, thuhet në fund të komunikatës.

Kujtojmë se Hamide Magashi, 35 vjeç, u qëllua për vdekje nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Viktima, ishte shtatzënë dhe pritej që ditën tjetër, të lindte foshnjën e saj.

Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, rasti i rëndë ka ndodhur të mërkurën rreth orës 18:00.