Therja e kurbanit të bëhet vetëm në thertore të licencuara

Me afrimin e festës së Kurban Bajramit, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje qytetarëve që therjen e kurbanit ta kryejnë vetëm në thertore të licencuara.

Zëdhënësi i AUV-së, Lamir Thaçi, në intervistë për Ekonomia Online theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve të përcaktuara me ligj.

Sipas tij, kjo nuk është vetëm çështje besimi, por edhe siguri për shëndetin publik dhe zbatim i ligjit.

“Therja jashtë ambienteve që nuk i plotësojnë kushtet teknike, sanitare, higjienike, jo vetëm që bie ndesh me legjislacionin në fuqi, por edhe paraqet rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve”, tha ai.

Në rast të shkeljeve, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë paralajmëron masa ligjore.

“Në secili rast të therjes jashtë objekteve të licencuara gjithmonë inspektori bën vlerësimin e situatës dhe përveç që mund të shqiptojë gjobë mandatore ai gjithmonë e dërgon lëndën apo e njofton prokurorin mbi rastin, sepse përveç aspektit të shkeljes administrative, gjithmonë mund të konsiderohet edhe si vepër penale, si rrezikim i shëndetit të përgjithshëm publik”, tha Thaçi.