Thirrjet e ‘pasinqerta’ për unitet politik
Përfaqësuesit e partive politike opozitare kanë qëndrime të ndryshme lidhur me thirrjet e drejtuesve institucionalë të vendit për unitet të spektrit politik. Përderisa qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës konsideron që është e gatshme për një unitet të tillë të spektrit politik, por thirrjet e drejtuesve të ekzekutivit për një gjë të tillë, i cilëson të pasinqerta.
Aktakuzat e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, që njihen edhe si Gjykata Speciale, e kanë destabilizuar krejtësisht skenën politike dhe tashmë imponohet një ndryshim i sjelljes dhe veprimeve të aktorëve politikë në vend, vlerëson njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri.
Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit ndaj Hashim Thaçit, tashmë ish-president i Kosovës, Kadri Veselit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe lider i deritashëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimit, ish-shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe Salih Mustafës, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për t’u përballur me gjendjen e krijuar në vend, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur nevojën e koordinimit institucional. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur nevojën për unitet politik, në situatën nëpër të cilën po kalon vendi.
Sipas Hotit, “pavarësisht zhvillimeve politike e proceseve në të cilat kalon vendi, si rezultat i dorëheqjes së presidentit të vendit, tash forcat politike duhet të bëhen bashkë që të japin mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës…”.
Fitore Pacolli, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, partia kjo më e madhe opozitare, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë vendit i nevojitet një qeveri demokratike dhe legjitime. Sipas saj, nuk mund të shkohet në drejtim të asaj që kinse po krijohet unitet i spetrit politik, duke ndërtuar struktura qeverisëse, të cilat siç thotë ajo, nuk e kanë besimin e qytetarëve.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Valdete Idrizi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se uniteti i spektrit politik të Kosovës është dashur të ndodhë shumë më herët dhe jo vetëm tash, pas thirrjeve të kryeministrit Hoti. Sipas saj, vetë Partia Demokratike e Kosovës, më herët pati kërkuar unitet të spektrit politik për çështjet që kishin të bënin me integritetin e shtetit dhe për dialogun me Serbinë, për të shkuar më sigurt drejt një paqeje të qëndrueshme.
Muhaxhiri: Ofertat për unitet politik duhet të jenë të sinqerta
Analisti, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që liderët e partive politike do të bënin gabim në rast se do të silleshin sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se gjendja brenda vendit është normale. Sipas tij, ngritja e aktakuzës nga Dhomat e Specializuara ndaj presidentit të shtetit dhe disa politikanëve me rëndësi të madhe në jetën parlamentare, kanë shkaktuar një gjendje jonormale në vend.

