“Thuaj lutjen e fundit, se do të të vras”/ Flet 20-vjeçari që u mor peng

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me 20-vjeçarin që u mor peng në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Kujtojmë se i riu ishte duke pritur një shok brenda makinës së tij.

Ndërkohë, në një moment papritur në makinën e të riut është futur një i panjohur dhe duke i drejtuar armën i ka kërkuar të lëvizë makinën.

Ndërkohë, tashmë është publikuar dëshmia e të riut.

20-vjeçari ka dëshmuar në polici: “Kisha ndaluar me makinën time tip BMË X3 në rrugën e Kavajës, përballë (…Bank). Dyert e makinës ishin pa siguresë dhe në vendin e pasëm të pasagjerit futet një person dhe duke bëritur më thotë ec ec ec. Më vuri pistoletën në ije dhe pastaj i dhash makinës, eca.

U nisëm në drejtim të Zogut të Zi dhe pastaj në Kamzë. Gjatë kohës që ishim në makinë më kërkoi që të hiqja kodet nga celulari im tip Samsung dhe më mori portofolin.

Më pas, i riu tregon se pengmarrësi e pyeti nëse ishte duke agjëruar, dhe kur ka marrë përgjigjen “po”, i ka thënë tani thuaj “lutjen e fundit se do të të vras”.

Më tha që ishte i dënuar nga gjykata për krime të rënda dhe nëse kapej rrezikonte 40 vite burg pastaj nëse shkoja në polici ai do të vriste policin dhe mua. Pastaj më pyeti nëse isha duke agjëruar.

Kur i thash po, me tha thuaj lutjen e fundit se tani do të të vras. Nuk më qëlloi. Gjatë gjithë rrugës i thosha që të merrte makinën dhe çfarë donte dhe të më linte të ikja, por nuk pranoi. Kur shkuam në Kamzë me futi në disa rrugica aty dhe më tha të ndaloj. Më tha të hapja xhamin e makinës dhe një moment doli nga makina duke ardhur nga pas në drejtim të vendit të shoferit. Aty i dhash gaz makinës dhe ika me shpejtësi,” tregoi ai, transmeton shqip.

Më pas i riu dhe të afërmit e tij i janë drejtuar Komisariatit nr.3 në Tiranë për të bërë denoncimin.