Titoja ishte i njoftuar për krimet në Anamoravë, por kishte heshtur

Faktet e vjetra dhe të reja dëshmojnë se Mareshali i Jugosllavisë nuk ka qenë aspak miqësor me shqiptarët, siç e paraqesin komunistët shqiptarë, duke u bazuar tek të drejtat që kishin arritur shqiptarët pas vitit 1974, shkruan Mediafokus.info

Në vitet 1944/45, partizanët e Titos kishin likuiduar pa gjyq rreth 8 mijë shqiptarë në Gjilan dhe rrethinë.

Dëshmitarët e kohës dhe burimet historike kanë një mos përputhje sa i përket numrit të të vrarëve, nga partizanët e Titos, por të gjithë pajtohen se këtu është kryer njëra ndër masakrat më të mëdha në trojet shqiptare.

Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vjet dhe numrit më të madh të të vrarëve, nuk u janë gjetur eshtrat dhe as nuk u dihen varret.

Likuidimet masive të popullatës shqiptare kishin filluar më 16 nëntor 1944, pikërisht në ditën e “çlirimit”.

Thuhet se për terrorin e njësiteve të UNÇJ-së, e sidomos i Brigadës 17 Maqedonase, ishte njoftuar edhe Titoja, nëpërmjet një letre dërguar nga Milladin Popoviqi, në nëntor të vitit 1944.

Gjenocidi ndaj popullit shqiptar të Anamoravës ishte nxitur nga kreu ushtarak dhe politik i UNÇJ-së, me arsyetim se kishin marrë pjesë në luftë kundër tyre, së bashku me gjermanët.

Likuidimet bëheshin në emër të “pushtetit popullor”. Ky pushtet “popullor” vrau e masakroi shqiptarë nga të gjitha anët.

Kreu i saj, Josip Broz Tito, dinte për këto krime, të cilat i miratonte me heshtje.

Edhe dëshmitë e reja që po dalin tani në dritë flasin se Titoja i ka urryer shqiptarët.

Disa politikanë shqiptarë të kohës, meritat për avancimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi ia adresojnë Titos, derisa historianët, kryesisht janë kundër kësaj.

Shikuar nga të dyja këndet, Titoja, i cili vdiq më 4 maj 1980, gjithsesi del figurë kontraverse në raport me shqiptarët. /Mediafokus.info